Vendosni fjalën kyçe....

Këlliçi: Nënkalimi te sheshi “Skënderbej” do kushtojë sa kopshti personal i kryeministrit


Kandidati i Opozitës për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi, i ftuar në emisionin “Frontline”, në News24, shpjegoi në mënyrë të detajuar disa pika kryesore të programit të tij që synon zbutjen e kostos së jetesës në Tiranë, dhe lehtësimin e trafikut.

Për nënkalimin në Sheshin Skenderbej, Këlliçi u shpreh se në bazë të studimeve që ka bërë ekipi i tij, qytetarët do të kursejnë në një ditë 5 mijë kilometra rrugë, pra aq sa llogaritet sot në gjendjen aktuale, fluksi që përshkohet prej gjithë automjeteve që kalojnë në atë nyje, një prej më problematikeve në Tiranë.

Vetëm ai segment, që është 200 metra dhe nuk e prek në asnjë milimetër Sheshin Skënderbej, Këlliçi tha se qytetarët do të arrijnë të kursejnë çdo ditë, 0.24 tonë naftë, aq sa shpenzojnë sot duke kaluar nëpër itinerarin aktual.

Po ashtu, sipas ekspertëve, vetëm në atë nyje, llogaritet që fluksi i automjeteve dhe trafikut, shkarkon 234 tonë dyoksid karboni në një vit, çka me projektin e nënkalimit në Sheshin Skënderbej, eliminohet, duke kontribuar kështu në uljen e ndotjes, por edhe të stresit.

Belind Këlliçi tha se projekti i nënkalimit që i shërben mijëra qytetarëve në ditë, kushton jo më shumë se kopshti personal që Kryeministri ka ndërtuar së fundmi, në ambientet pranë zyrës së tij.