Treguesi i ndjesisë ekonomike (TNE) u rrit përsëri në muajin prill, duke arritur nivelin më të lartë historik.
Sipas Bankës së Shqipërisë, TNE-ja shënoi nivelin 114.6, me rritje prej 1.1 pikësh në krahasim me muajin mars dhe duke qëndruar 14.6 pikë mbi mesataren afatgjatë. Rritja e TNE-së u përcaktua nga rritja e besimit në sektorët e industrisë, ndërtimit, tregtisë, si dhe nga përmirësimi i besimit konsumator.
Treguesi i besimit të industrisë (TBI) u rrit me 3.8 pikë përqindje në muajin prill, i ndikuar nga vlerësimet më optimiste për prodhimin aktual dhe për kontratat porositëse. Niveli i TBI-së aktualisht qëndron 16.1 pikë përqindje mbi mesataren historike. Pritjet e bizneseve të këtij sektori për prodhimin dhe për punësimin në të ardhmen janë rritur. Çmimet që këto biznese do të vendosin në të ardhmen nuk pritet të ndryshojnë.
Treguesi i besimit në ndërtim (TBN) u rrit lehtë me 0.4 pikë përqindje në muajin prill, duke shënuar një tjetër rekord historik. Ky tregues qëndron 28.7 pikë përqindje mbi mesataren afatgjatë. Rritja këtë muaj u përcaktua kryesisht nga vlerësimet më të mira për nivelin e porosive aktuale. Pritjet për punësimin dhe ato për çmimet në të ardhmen janë në rënie.
Treguesi i besimit në tregti (TBT) u rrit me 1.2 pikë përqindje në muajin prill, i ndikuar kryesisht nga vlerësime optimiste mbi ecurinë aktuale të biznesit. Edhe pritjet për punësimin u rritën këtë muaj, madje në një shkallë më të lartë se komponenti i parë. Niveli aktual i TBT-së qëndron rreth 12.4 pikë përqindje mbi mesataren historike. Gjithashtu, pritjet për ecurinë e biznesit në të ardhmen dhe për punësimin kanë regjistruar rritje të lehtë këtë muaj. Pritjet për çmimet në të ardhmen u vlerësuan në rënie.
I vetmi tregues që shënoi rënie ishte ai i besimit në shërbime (TBSH), që ra me 1.6 pikë përqindje në muajin prill. Megjithatë, niveli i TBSH-së qëndron në intervalin e vlerave më të larta historike, rreth 17.4 pikë përqindje mbi mesataren afatgjatë. Të dy komponentët përbërës të treguesit, ecuria aktuale e aktivitetit, si dhe niveli i kërkesës, kanë regjistruar rënie të lehtë. Pritjet e bizneseve për kërkesën, punësimin dhe çmimet në të ardhmen janë me rënie.
Treguesi i besimit konsumator (TBK) vijoi prirjen disamujore rritëse, duke u rritur me 2.1 pikë përqindje në muajin prill. Niveli i tij aktual ka kaluar me 2.2 pikë përqindje mesataren historike. Përmirësimi i TBK-së këtë muaj u përcaktua nga pritje të përmirësuara për situatën e përgjithshme ekonomike, situatën financiare dhe blerjet në shuma të mëdha për të ardhmen. Pritjet për nivelin e përgjithshëm të çmimeve dhe punësimin në të ardhmen janë rishikuar për lart.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor