Familjarët e Fatmir Sulovarit e Leonard Theodhorit, të cilët rezultojnë të zhdukur prej rreth një muaji, kanë zhvilluar protestë para Drejtorisë së Policisë së Shtetit.
Tre përfaqësues të familjarëve janë futur brenda dhe po takohen me kreun e Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku.
46-vjeçarët Leonard Thodhori, i njohur me nofkën ‘Koçole’ e Fatmir Sulovari, u zhdukën javë më parë ndërsa dyshohet se ata janë vrarë e groposur pranë fshatit Vrinë, megjithatë deri tani nuk janë gjetur ende.
Theodhori ka qenë i dyshuar si pjesëmarrës në Masakrën e Qafë-Gjashtës në vitin 1997 ku u vra oficeri i policisë Gjergj Mehmeti. Në vitin 2003, ai ka qenë i pranishëm në mjetin që drejtohej nga Andrea Gjini para se ky i fundit të vriste biznesmenin Jaho Bajo. Ai është po atë vit për ‘moskallëzim krimi’ lidhur me një ngjarje tjetër të kryer nga Gjini. Theodhori është arrestuar gjithashtu për ‘vjedhje’ e ‘mashtrim’.
Fatmir Sulovari i njohur edhe me emrin Fatmir Krasniqi, ka qenë i dënuar më parë për ‘armëmbajtje pa leje’ dhe ‘plagosja e lehtë me dashje’.
“Duam trupat e tyre. Shteti nuk po punon ashtu siç duhet. Është 26 ditë, po shkon një muaj. Nuk kemi asnjë komunikim. Asnjë gjë, duam që shteti të gjejë trupat. Nuk ka lidhje konflikti i pronësisë. Po të kishte konflikte nipi im, s’do dilte lirshëm. Kemi ardhur për protestë paqësore këtu. Shteti të gjejë trupat dhe të kapë autorët.” – tha gjatë protestë Kujtim Krasniqi, xhaxhai i Sulovarit.
Sipas policisë, dy të zhdukurit janë ekzekutuar dhe trupat e tyre mund të ndodhen në territorin e Bashkisë Konsipol. Paraprakisht mendohet se dy të zhdukurit i kanë njohur rrëmbyesit, pasi në disa pamje filmike të lëvizjes së mjetit te tyre, dallohet Fatmir Sulovari teksa ndodhet i ulur në sediljen e parë duke mbajtur dorën në tavan, por në gjendje normale.
Nga pamjet filmike është e vështirë te dallohet shoferi dhe pasagjerët pas, por dihet qe targat e mjetit janë greke të vjedhura në Lezhë. Ndërkohë, janë sekuestruar 8 automjete, si dhe është arrestuar një 28-vjeçar, që thuhet se ka bashkëpunuar me autorët e rrëmbimit të dy të zhdukurve.