Kandidati i Partisë Demokratike për Tiranën, Roland Bejko zhvilloi një takim me qytetarët dhe përfaqësues të shtresës së ish të përndjekurve politik.
Bejko bëri me dije se do të shpallë Muze të Krimeve të Komunizmit burgun 313 në Tiranë, burg që gjatë diktaturës komuniste ka shërbyer si vend paraburgimi dhe përqendrimi të të burgosurve.
Po ashtu Bejko tha se vilën 31 të Enver Hoxhës do ta bëjnë qendër të edukimit dhe formimit për kujtesën e komunizmit.
Kandidati demokrat tha se do të ngrihet një park i tipit open air museum, për personat e zhdukur ose të vrarë në burgjet e komunizmit, duke vijuar se Bashkia do të krijojë një aplikacion guidë të vendeve të kujtesës në Tiranë që t’iu shërbejë si turistë të huaj ashtu edhe qytetarëve shqiptarë.
“Ne do ta shpallim muze vendin e vuajtjes së dënimit në burgun 313, ndërkohë që vilën 31 të Enver Hoxhës do ta bëjmë qendër të edukimit dhe formimit për kujtesën e komunizmit. Më hollësisht do të rivlerësojmë emrat e të gjithë rrugëve dhe shkollave të kryeqytetit në bashkëpunim me grupet interesit dhe shoqërinë civile për të shkëputur simbolikat më të rënda të së kaluarës komuniste. Do të memorializojmë kujtesën dhe krimet e komunizmit dhe vuajtjet në burgjet komuniste, vendet e internimit duke ngritur muzeun e krimeve të komunizmit në Tiranë për 32 vite nga klasa politike aktuale dhe ajo që ishte, kjo gjë nuk ndodhi, nuk e bënë, nuk donin.
Do të ngremë një park të tipit open air museum, për personat e zhdukur ose të vrarë në burgjet e komunizmit. Vilën e Enverit do ta kthejmë në qendër kreative për edukimin kundër komunizmit në Shqipëri dhe në oborrin e vilës do të vendosim një memorial në përputhje me ligjin numër 10 241/2010. Do të krijojmë një aplikacion guidë të vendeve të kujtesës në Tiranë që t’iu shërbejë si të interesuarve turistë të huaj ashtu edhe qytetarëve shqiptarë. Do të përgatisim një projektligj për shtresën e ish të përndjekurve politikë, për banesat publike dhe shërbimet shëndetësore. Si edhe do të ketë subvencione për udhëtimin e ish të përndjekurve politikë në transportin publik, të atyre të cilët nuk i kanë mundësitë për ta kryer një transport të tillë me shpenzimet e tyre. Ashtu siç është për veteranët e luftës, apo shtresa të tjera në nevojë në shoqërinë shqiptare. Kryetari i bashkisë nuk ka bërë asgjë nga këto, kuptohet se pse jo. Sepse në fund të fundit ai rrjedh nga linja e xhelatëve dhe jo e viktimave të komunizmit. Ai ka lejuar që hapësira publike në kryeqytet të bëhet shesh i shfaqjes së simbolikave të diktaturës dhe të përdoret nga nostalgjikë të diktaturës, të cilët hyjnë dhe lëndojnë kujtimin e viktimave të regjimit”, u shpreh Bejko.
Pikat e programit
1- Rivlerësim i të gjitha emrave të rrugëve dhe shkollave të kryeqytetit në bashkëpunim me grupet e interesit dhe shoqërinë civile, duke vlerësuar emërtimet e tyre me qëllim shkëputjen e simbolikave me të rënda të së kaluarës komuniste, në formën e memorialëve, pllakave përkujtimore të shpërndara në të gjithë territorin e Tiranës.
2- Memorializimi i kujtesës mbi krimet e komunizmit dhe vuajtjeve në burgjet e komunizmit, vendet e internimit, përmes ngritjes së Muzeut të Krimeve të Komunizmit në Tiranë. Ish godina e burgut 313, e ndërtuar nga italianët më 1942 ngjitur sot më Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave, gjatë diktaturës komuniste ka shërbyer si vend paraburgimi dhe përqendrimi të të burgosurve që vinin kryesisht nga kampet dhe burgjet e Shqipërisë.
3- Ngritja e një Parku të tipit “open air museum” në Tiranë (mbase diku tek Bulevardi i Ri) për personat e zhdukur/vrarë në burgjet e komunizmit.
4- Insistimi për kthimin e “vilës së Enverit” në një qendër kreative për edukimin kundër komunizmit në Shqipëri dhe vendosja në oborrin e vilë së një memoriali/monument/obelisk sipas Ligjit Nr. 10 241/2010.
5- Krijimi i një aplikacioni Guidë e vendeve të kujtesës në Tiranë