Vendosni fjalën kyçe....

Gjermania do liberalizojë më tej emigracionin


Gjermania do të lehtësojë në mënyrë drastike kërkesat e hyrjes dhe nënshtetësisë për punëtorët e huaj në një përpjekje për të përballuar mungesat serioze në fuqinë e saj punëtore, tha ministri i Punës Hubertus Heil për Financial Times (FT) në një intervistë të botuar të martën.

Berlini do zhvillojë një nga ‘regjimet më moderne të emigracionit në Evropë’, tha ai, duke iu referuar legjislacionit të ri të emigracionit që pritet të miratohet nga ligjvënësit këtë muaj.

Ligji do t’i lejojë të huajt, përfshirë ata nga vendet jashtë BE-së, të vijnë në Gjermani pa një certifikatë gjermane të kualifikimit profesional, tha ministri.

“Do mjaftojë që ata të kenë një kontratë pune, një përvojë profesionale dhe të kenë marrë trajnime profesionale në vendin e tyre,” shpjegoi Heil.

Berlini do prezantojë gjithashtu një ‘kartë mundësish’, duke i lejuar njerëzit të fitojnë ‘pikë’ bazuar në plotësimin e disa kritereve, duke përfshirë të qenit nën 35 vjeç, të kenë një nivel të mirë të gjuhës gjermane dhe të kenë trajnim dhe përvojë profesionale të kërkuar.

“Kur ata kanë pikë të mjaftueshme, ata mund të vijnë këtu për të kërkuar një punë,” tha Heil.

Një projektligj tjetër do lehtësonte kërkesat e shtetësisë gjermane për të huajt, duke i lejuar njerëzit të aplikojnë për shtetësi pas pesë vitesh qëndrimi, nga tetë që janë aktualisht.

Ata që bëhen të aftë në gjermanisht, që bëjnë punë vullnetare ose që paraqiten mirë në shkollë, do lejohen të aplikojnë për shtetësi pas tre vjetësh, sipas FT.

Projektligji do heqë gjithashtu ndalimin e gjatë të Gjermanisë për shtetësinë e dyfishtë për njerëzit nga vendet jashtë BE-së.

Në shkurt, Heil tha se reforma do synonte veçanërisht punëtorët afrikanë.

“Gjermania ka nevojë për emigrim të kualifikuar në të ardhmen për shkak të strukturës sonë demografike,” tha ministri gjatë një vizite në Ganë, duke shtuar se mosha mesatare e popullsisë gjermane është 49 vjeç, krahasuar me një moshë mesatare 19 vjeç në atë vend të Afrikës Perëndimore. .

Në intervistë, Heil tha gjithashtu se industritë gjermane kanë nevojë ‘të dëshpëruar’ për staf. “Gjermanisë do i mungojnë shtatë milionë punëtorë deri në vitin 2035 nëse ne nuk bëjmë diçka,” paralajmëroi ai.

Sipas një raporti të vitit 2021 nga Instituti Gjerman për Tregun e Punës dhe Studimet Profesionale (IAB), vetëm një emigrim vjetor neto prej 400,000 njerëzish në vit do mbajë një furnizim të qëndrueshëm të fuqisë punëtore ‘në terma afatgjatë’.

Një studim tjetër nga Instituti Gjerman i Ekonomisë (IW) në prill paralajmëroi se industritë gjermane kishin më shumë se 630,000 vende të lira të hapura për punëtorë të kualifikuar që nuk mund t’i plotësonin në vitin 2022, nga 280,000 një vit më parë.

Megjithatë, e përditshmja ekonomike gjermane Handelsblatt raportoi në prill se numri i të rinjve në vend të cilëve u mungojnë aftësitë përkatëse profesionale, duke përfshirë mungesën e trajnimit profesional, ka tejkaluar 2.5 milionë. Rreth 17% e atyre të moshës ndërmjet 20 dhe 34 vjeç janë të pakualifikuar, tha gazeta, duke cituar një raport të qeverisë.

Heil pranoi gjithashtu se rreth 1.6 milionë njerëz të moshës nga 20 deri në 30 vjeç nuk kanë kualifikim profesional dhe ‘shumë shpesh’ përfundojnë ‘në papunësi afatgjatë’.