Vendosni fjalën kyçe....

Kandidati i opozitës për Vorën Indrit Hoxha kallëzon në SPAK kryebashkiakun Blerim Shera për tenderin 2.3 milionë euro


Ashtu siç kishte njoftuar në disa denoncime më herët gjatë fushatës, kandidati i opozitës për Vorën, Indrit Hoxha, ka kallëzuar në SPAK kryebashkiakun e Vorës Blerim Shera.

Bëhet fjalë për një tender 2.3 milionë eurosh për pastrimin e qytetit.

Hoxha ka deklaruar më herët se bashkia e Vorës është çuar në prag falimentimi nga socialistët që kanë ndërruar disa bashkiakë vetëm në katër vitet e fundit.

Ai ka theksuar gjithashtu se në këtë bashki ka pasur abuzime të mëdha financiare duke i kërkuar SPAK-ut që t’i hetojë.

“Sot kam bërë kallëzim të parë penal për një aferë korruptive në Bashkinë e Vorës me vlerë 2.3 milionë euro në shkelje ligjore. I bëj thirrje Dumanit të nisë mbledhjen e dokumenteve të këtij krimi ekonomik që është bërë në kurriz të qytetarëve. Koha e vënies dorë te taksat e qytetarëve duhet të marrë fund. Inkurajoj qytetarët shqiptar të denoncojnë te DEA. Vora ka qenë betejë e nxehtë elektorale dhe kjo ka ardhur nga abuzimi dhe vjedhja e bashkisë Vorë. I bëj thirrje SPAK dhe çdo organi tjetër hetimor, të hetojë pasurinë time dhe familjarë të mi por edhe të kryetarit të Bashkisë Vorë. Drejtësia do bëjë drejtësi. Bëhet fjalë për tenderin  e pastrimit, i cili është në vlerën 2.3 milionë euro. Sot Vora është bashkia më e pistë e Republikës, kam kallëzuar kreun e Bashkisë Vorë Blerim Shera.” – tha ai.