Vendosni fjalën kyçe....

Rama takim me bluzat e bardha në Klos: Me rritjen e pagës jemi barazuar në nivelin e rajonit


Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me mjekët dhe infermierët e Matit dhe Klosit, ku u shpreh para tyre se pavarësisht problemeve globale që përfshinë edhe vendin tonë, më në fund është realizuar dëshira e kahershme për rritjen e pagave për mjekët në veçanti.

Rama tha se rritja e pagave për mjekët me 20 mijë lekë për mjekët në tërësi dhe me 15 mijë lëke për infermierët, na barazon me Rajonin.

Ashtu sikundër është e domosdoshme që të kihet parasysh që rritja e pagave nuk duhet të shoqërohet me rritje të borxhit se pastaj kthehet në një problem dhe ne nuk e kem pasur situatën aspak të favorshme. Kemi vite që ecim me erën kundër; tërmeti, pandemia, pastaj vjen dhe agresioni në Ukrainë me të gjitha efektet mbi çmimet, mbi çmimin e energjisë në radhë të parë dhe për të gjitha këto çfarë kemi bërë ne? Ne kemi ndaluar procese të tjera, kemi shtyrë në kohë procese të tjera dhe kemi spostuar para për të përballuar këto goditje dhe megjithatë jam shumë i kënaqur që e arritëm më në fund këtë kthesë të madhe edhe në këtë drejtim dhe kemi filluar me mjeket specialistë si një sinjal domethënës për të gjithë, jo vetëm për bluzat e bardha, por për të gjithë. Pastaj për të tjerët e kemi me dy hapa; mjekëve specialistë sigurisht nuk do t’u rritet paga vitin tjetër se kanë marrë këtë vit të gjithën, por të gjithë të tjerëve paga u rritet tani dhe në rrogën që do merrni tani, do keni rritjen e parë dhe pastaj prill me prill, se Ogerta tha plan dy-vjeçar, por në fakt është në harkun e një viti, prill më prill ju do të merrni edhe shtesën tjetër dhe faktikisht do t’ju rritet paga, flas për baziken, do t’ju rritet 20 mijë lekë të reja për mjekët që natyrisht varion sipas vjetërsisë, sipas orëve e të tjera. Unë kam parë që ka shumë qe marrin shumë më tepër. Do t’ju rritet 20 mijë lekë si rritje e përgjithshme dhe për infermierët 15 mijë lekë të reja. Faktikisht me këto rritje ne jemi në nivelin e lartë të rajonit“, tha Rama.

Rama tha se duan që t’i japin mjekëve mundësi të barabarta me Gjermaninë. Ai tha se në Gjermani rrogat janë të larta, por për shkak të jetesës së shtrenjtë nuk mbeten para për të mbyllu muajin.

“Duam që t’i japim çdo mjeku mundësinë që të ketë këtu,  barabartë me Gjermaninë përsa i përket, jo asaj që merr në fillim se ajo që merr në fillim, ne nuk e arrijmë dot Gjermaninë, por të asaj që ngelet në fund të muajit  se aty matet, nuk matet te ajo që merr në fillim, se shumë thonë: hajde po iki atje se shiko sa shumë është rroga. Atje është rroga është, patjetër, por pastaj atje është “hape xhep”, atje nuk e ke shtëpinë afër, atje nuk të presin prindërit, atje shtëpinë dhe po e more do ta marrësh me nja 5 vetë të tjerë se nuk e përballon dot, etj, – që mos të flas pastaj që atje të duash të pish kafe tamam kafe, merr lekë sa të duash kafen nuk e gjen siç e gjen këtu, muhabetin në kafe pastaj harroje fare.

Kështu që, janë pjesë të jetës këto se nuk është njeriu vetëm “futu atje robot” dhe ik ul kokën puno e pastaj shko i rraskapitur në shtëpi dhe vetëm fle gjumë se pastaj do çohesh prapë të nesërmen dhe ndërkohë nuk del dot nga shtëpia se po dole do paguash sa del. Jeta atje është tmerrësisht e shtrenjtë. Nuk është më koha e ikjes së emigrantëve në vitet ’90, nuk është më as Gjermania, as Anglia, as Italia e viteve ’90. Po ikin italianët nga Italia. Kështu që, ky është objektivi ynë. Që një mjek nëqoftëse vjen në Klos për shembull, specialist, ose në Peshkopi ose në Bajram Curr të jetë njësoj sikur shkon në Gjermani në kuptimin e asaj që i ngelet në fund, prapë po e përsëris, që të mos bëjmë keqkuptime. Domethënë të marrë një bonus ekstra, të jetë në rregull. Të mos ketë arsye fare të mendoj “hajde se po iki ta provoj”. Ç’të provosh? Natyrisht të gjithë janë të lirë ta provojnë, ne nuk ndalojmë njeri se kjo është koha që jetojmë. Përmirësimi i kushteve këtu është i rëndësishëm dhe mendoj se sot Klosi nuk është më ai që ishte dhe për faktin që është 40 minuta larg Tiranës“, tha Rama