Vendosni fjalën kyçe....

Reporters sans frontieres/ Enigma e ngjitjes në klasifikimin e lirisë së mediave


Shqipëria mbetet në mes shteteve problematike në klasifikimin e indeksit të lirisë së mediave të “Reporters sans frontieres”, ndonëse në mënyrë të çuditshme, në krahasim me një vit më parë, ajo ka rikuperuar shtatë vende. Ne renditemi në vendin e 96 nga i 103 ku gjendeshim në 3 maj 2022, në klasifikimin që organizata publikon në mënyrë periodike, në ditën botërore të lirisë së shtypit.

Pra komentimi i këtij klasifikimi përmban dy faqe të së njëjtës medalie. Nga njëra anë ai vë në dukje gjendjen jo të lakmushme të lirisë së mediave në vend, pasi në ndarjen e “Reporterëve pa kufij” mes “shumë e keqe” në 31 vende, “e keqe” në 42 vende, “problematike” në 55 dhe e “mirë” ose “mjaft mirë” në 52 vende, Shqipëria renditet në kategorinë e tretë. Ndërsa gjysma e gotës plot qëndron në faktin se nga të 103 (mes 180 shteteve) jemi ngjitur në të 96.

Indeksi i lirisë së medias/ Reporterët Pa Kufij: Shqipëria dhe Kosova vijojnë të jenë mes vendeve problematike 

Në fakt, ky klasifikim ka ngjallur debat në Shqipëri që kur Lapsi.al botoi një lajm ekskluziv ku raportohej për tentativën e Edi Ramës për të joshur “Reporterët pa kufij” duke i dhënë atyre mundësinë e ndërmjetësimit mes qeverisë dhe shoqatave të gazetarëve vendas për të regulluar gjendjen e mediave vedase. Sipas pikpyetjes që ngrinte athere Lapsi.al, e gjitha bëhej me qëllimin e pastrimit të imazhit të kryeministrit, duke ngritur klasifikimin e Shqipërisë në renditjen e përgjithshme. Lapsi.al pati parë një draft që qarkullonte në kabinetin Rama, ku detajohej plani i një konference mes qeverisë dhe aktorëve mediatike. Ky informacion, si dhe fakti se në nëntor të vitit të kaluar Rama ishte takuar në Paris me shefin e “Reporterëve pa kufij”, Christophe Deloire, ku sipas raportimeve të njerëzve pranë tij ishte diskutuar kjo ide, u raportuan në artikullin e mësipërm.

“Reporterët pa kufij” reaguan menjëherë ndaj shkrimit të Lapsi.al duke pranuar se ata po bëheshin gati të organizonin një projekt të tillë, por duke mohuar se këtë gjë ua kishte kërkuar kryeministri. Në fakt, Lapsi.al, kishte më tepër se dy burime që të njëjtën kërkesë Edi Rama, ua kishte përsëritur edhe 7 organizatave ndërkombëtare për lirinë e mediave që u takuan me të në Tiranë, po në nëtor të vitit të shkuar. Madje ai pati përmendur edhe ndërmjetësimin e gazetares Alice Taylor (ajo që u shfaq në podcastin e fundit), që ishte ngarkuar me këtë mision. Pra askush nuk mund ta mohojë se ideja fillestare pati lindur në zyrat e qeverisë shqiptare.

Si i shfrytëzoi propaganda qeveritare “Reporterët pa kufij” kundër Lapsi.al 

Por më e rëndësishmja nuk është kjo. Më e rëndësishmja gjendej në angazhimin e organizatës prestigjoze se: “Renditja e një vendi në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit nuk mund të ndikohet nga asgjë”.

Sot jemi në pikën kur në krahasim me një vit më parë Shqipëria është ngjitur me 7 shkallë në këtë ideks. Dhe më interesantja është se po të qëmtosh me kujdes në faqen e dedikuar për Shqipërinë në të rfs.org aty nuk gjendet më përcaktimi i vjetshëm se  “Mediat private më me ndikim në Shqipëri janë në pronësi të një grushti kompanish që kanë lidhje me politikanë dhe në të njëjtën kohë operojnë në sektorë që kanë nevojë për rregullim nga shteti, si ndërtimi”.

Përveç kësaj ‘harrese”, përparimi i Shqipërisë në klasifikimin e “Reporters…” nuk përputhet aspak me konkluzionet që bënë nëntorin e shkuar 7 organizata prestigjoze të lirisë së mediave, ku bëjnë pjesë edhe vetë Reporterët pa kufij. Në përfundimet e tyre ato theksuan se vendi ka bërë përkeqësim: “Klima për raportim të lirë dhe të pavarur është duke u përkeqësuar në Shqipëri, për shkak të ndërhyrjeve të pronarëve dhe të qeverisë”, deklaroi në Tiranë delegacioni i 7 organizatave partnere të platformës së Këshillit të Europës për sigurinë e gazetarëve, në fund të misionit të tyre faktmbledhës. Madje duke prezantuar draftin, gjatë konferencës për shtyp, Rikardo Gutieres, sekretar i përgjithshëm i Federatës Europiane të Gazetarëve tha: “Tani shohim se gjendja nuk është përmirësuar dhe madje jemi të shqetësuar se tashmë nuk kemi të bëjmë me kapjen e medias, por konstatojmë kapjen e gazetarisë”.

Pas “negociatave” me Ramën/ 7 organizata ndërkombëtare: Mediat më keq 

Pa kaluar as gjysëm viti nga kjo, “Reporters sans frontieres”, ndonëse vazhdojnë ta rendisin Shqipërinë në fund të vendeve të Ballkanit Perendimor, konkludojnë se liria e mediave ka bërë përparim me shtatë vende në krahasim me një vit më parë.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Lapsi.al