Vendosni fjalën kyçe....

“Shërbim funeral falas”, kandidati i Libohovës: Nuk është premtim për vota, i vijmë në ndihmë banorëve në nevojë


Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Libohovës, Adil Xhelili, ka komentuar në Euronews Albania një nga pikat e programit të tij elektoral për shërbime funderale falas.

Duke mos e konsideruar si premtim për të tërhequr vota, Xhelili, vijoi duke thënë se ky shërbim mund të ofrohet nga pushteti lokal duke i ardhur në ndihmë banorëve të varfër të zonës, të cilët aktualisht detyrohen të paguajnë deri në 750 mijë lekë të vjetra për këtë shërbim.

“Pikësëpari njëherë nuk është çështje për të tërhequr votues, apo një premtim elektoral. Është një emergjencë dhe nevojë për komunitetin i cili dita ditës po shpopullohet dhe mosha e tretë është një nga moshat më mbizotëruese në komunitet. Kjo nuk është një e dhënë që duhet përdorur, apo keqpërdorur nga mediat apo portalet.

Në bashkinë e Libohovës nuk ofrohet një shërbim komunal i mirëfilltë. Ky shërbim duhet të reformohet në bazë të nevojave të njerëzve. Banorët në raste fatkeqësish, paguajnë shuma të konsiderueshme, për një shërbim që pushteti vendor mund ta ofrojë falas. Nga pikëpamja si trajtohet është sikur ndjell një gjë të keqe, por komuniteti na njeh shumë mirë dhe jemi të kujdesshëm në fjalorin që përdorim. Ky nuk është një premtim, por një përpjekje për t’i ardhur në ndihmë banorëve në raste fatkeqësish, ne duhet të plotësojmë nevojat që ata kanë. Njerëzit paguajnë deri në 750 mijë lekë për një shërbim të tillë ndërkohë që këtë shërbim mund ta ofrojë shërbimi komunal dhe t’i vijë në ndihmë qytetarëve”, tha Xhelili.

 

Më herët kandidati Xhelili kishte postuar programin e tij në rrjetet sociale:

Ngritja e Shërbimit Komunal të Bashkisë me pajisje bashkohore, mjete e shërbim efikas.

Ofrimin e shërbimeve lokale, pastrim dhe gjelbërim e zonave urbane, pastrim ditor në Libohovë dhe fshatra, pajisje me kontenierë të rinj, autobot, etj.

Menaxhim i kujdesshëm i mbetjeve ne pikë-grumbullim, shmangia e rreziqeve për shëndetin, mbrojtje e mjedisit dhe faunës.

Mirëmbajtje e rrugëve të brendshme në çdo njësi vendore e në çdo lagje.

Krijimin e një terminali dhe agjencie udhëtimi për transportin lokal

Përmirësimi i shërbimit zjarrfikës dhe shpëtimit të jetës, me mjete bashkohore, pajisje e trajnim periodik.

 Sigurimin dhe mirëmbajtjen e parqeve publike, shtimin e hapësirave të gjelbërta

Ofrimi FALAS i shërbimit funeral si pjesë e shërbimeve komunale të bashkisë.

Pajisja me sinjalistikë të brendshme e rrugëve, emërtim dhe shenja të tjera dalluese

Këto dhe shumë të tjera në shërbim të qytetarëve pas 14 majit. Ndryshim rrënjësor i punëve me motivin “pa shërbim nuk ka taksa” Së bashku rikthejmë punën në dobi të qytetarit!