Vendosni fjalën kyçe....

Nga shkollat e reja, uji i pijshëm e plani urbanistik, pikat kryesore të kandidatit të Lëvizjes Bashkë për Tiranën Arlind Qori


Kandidati i Lëvizjes Bashkë për Tiranën Arlind Qori ka shtjelluar mbrëmjen e djeshme pikat kryesore të programit për zgjedhjet e 14 majit.

I ftuar në emisionin Top Story në Top Channel Qori tha se Tirana do ketë një plan të ri urbanistik që do ketë në qendër hapësirat publike, zgjerimin  e rrugëve, çlirimin e trotuareve ndryshe nga plani i tanishëm.

Ai premtoi gjithashtu se bashkë me Lëvizjen Bashkë do hetohen përmes ligjit të urbanistikës të vitit 2014 të gjitha kullat në qendrën historike të Tiranës. Qori u zotua se çdo kullë në shkelje të ligjit, sidomos ajo pas sahatit do sekuestrohet për dobi publike ose do shembet, gjë që do vendoset me referendum.

Kandidati i Lëvizjes Bashkë tha gjithashtu se do ketë tatim mbi banesën e tretë, të katërt e më tepër, gjë që çlirojë tregun e do ulte çmimet stratosferike të apartamenteve. Për sa i përket arsimit ai tha se do ndërtohen të paktën 20 shkolla të reja teksa vërejti se në mbi 40 shkolla të kryeqytetit mësimi bëhet me dy turne.

Lidhur me ujin e pijshëm, Qori premtoi rritjen e cilësisë së tij në mënyrë që të jetë i përdorueshëm në çdo kafene, restorant e shërbim tjetër.

Tjetër premtim i kandidatit të Lëvizjes Bashkë është luftimi i shembullit të nëpunësit publik që pasurohet përmes korrupsionit.