Vendosni fjalën kyçe....

Berisha akuza Ramës: Rrugët që ndërton 10-12 herë më shtrenjtë se në Gjermani, më 14 maj të votojmë ndryshimin


Ish-kryeministri Berisha ka denonuar kryeministrin Rama se po grabit vendin me investimet publike.

Ai tha nga Hasi, ku ndodhej për të prezantuar kandidatin e opozitës për 14 majin, se Rama i ndërton rrugët 10 deri në 12 herë më shtrenjtë se në Gjermani.

“Investimet në punë publike janë vjedhur nga Rama e qeveritarët e tij. Ka ndërtuar rrugë në fushë me dyfishin e çmimit të tunelit të Elbasanit, 10-12 herë me shtrenjtë se në Gjermani. Ndërton shkolla me 7 milionë euro. Të gjitha këto janë paratë tuaja. Më 14 maj të votojmë ndryshimin, për shpëtimin e Hasit dhe Shqipërisë. Ju e shihni fushatën e tij, kalon nga takimi në takim me një gjuhë të denjë për një halabak, përdor fjalë të turpshme, sepse e di që qytetarët i ka vjedhur, i ka varfëruar, i ka përzënë nga vendi i tyre, dhe thotë më mirë të më thonë halabak e i pacipë, se sa të thonë i kam vjedhur.” – tha Berisha.

Ai njoftoi gjithashtu se mitingu përmbyllës i fushatës do jetë më 12 maj në ‘Sheshin Nënë Tereza’ në Tiranë.