Vendosni fjalën kyçe....

Denoncimi i Igli Carës, reagon policia: Kandidatin e kemi ftuar të bëjë kallëzim, rasti ka kaluar në prokurori


Drejtoria e Policisë Durrës i është përgjigjur denoncimit të kandidatit të opozitës Igli Cara, sipas të cilit një grup prej 10 personash kishin kërcënuar të rinjtë e FRPD-së që po shpërndanin fletushka në mbështetje të tij.

Në reagimin zyrtar në faqen e sajnë  Facebook, Drejtoria e Policisë Durrës i cilëson të pavërteta deklaratat e ekipit të Carës se në Durrës veprojnë banda kriminale që kërcënojnë qytetarët, ndërsa thekson se i ka marrë të gjitha masat për të garantuar një fushatë zgjedhore sa më të sigurt për të gjitha forcat politike.

Në shënim theksohet se pavarësisht se kandidati Cara apo personat e fushatës së tij janë ftuar të kallëzojnë ngjarjen në fjalë, deri tani një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur në Sukth ku dy persona u kanë kërkuar të rinjve të FRPD-së të mos hedhin fletushka poshtë dyerve të banesave të tyre apo në rrugë duke debatuar me ta. Ndërsa shton se rasti në fjalë është dërguar në prokurori për vlerësim.

Njoftimi

“Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës.

Në lidhje me deklaratën e bërë në media, nga kryetari i degës së FRPD në Durrës, sqarojmë opinonin publik se:

Më datë 06.05.2023, rreth orës 14:00, kandidati për kryetar bashkie i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, ka njoftuar me telefon se rreth orës 13:00, në një lagje në Sukth, Durrës, një grup prej 6-7 personash kishin qenë në këtë lagje, me një automjet me logo të koalicionit “Bashkë Fitojmë” dhe sipas tyre, dy shtetas që drejtonin dy automjete, i kishin kërcënuar me fjalë që të largoheshin nga lagjja.

Në këto kushte është ftuar për të bërë kallëzim, kandidati për kryetar bashkie i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, por deri në këto momente nuk është paraqitur as ai dhe asnjë shtetas tjetër, për të bërë kallëzim në lidhje me pretendimin e ngritur gjatë telefonatës.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, menjëherë pas marrjes së telefonatës, kanë vënë në dijeni prokurorin e gatshëm në Prokurorinë e Durrësit dhe më pas shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës kanë shkuar në adresën e dhënë.

Pas informacioneve të marra, është bërë identifikimi dhe shoqërimi në Komisariatin e Policisë Durrës, i dy personave, konkretisht shtetasve F. T., 25 vjeç dhe A. M., 31 vjeç, banues  në Sukth, të cilët kanë deklaruar se nuk kanë kërcënuar njeri, por kanë debatuar me personat që të  mos futnin postera dhe fletushka poshtë banesave të tyre apo t’i hidhnin ato në rrugë.

Në përfundim të veprimeve, materialet procedurale në ngarkim të dy shtetasve të mësipërm, do t’i dërgohen Prokurorisë, për vlerësim.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës sqaron opinonin publik se deklarata e bërë sot nga kryetari i FRPD dega Durrës, i cili foli për banda kriminale që iu bëjnë presion qytetarëve të Durrësit, për të tjetërsuar vullentin e tyre politik, është tërësisht e pavërtetë.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës siguron qytetarët dhe të gjitha subjektet politike, se ka marrë të gjitha masat për garantimin e rendit e të sigurisë, me qëllim mbarëvajtjen sa më të sigurtë të fushatës zgjedhore dhe se deri tani, në qarkun e Durrësit, nuk ka asnjë rast të cenimit të këtij procesi.

Në funksion të mbarëvajtjes sa më të qetë e të sigurtë të të gjithë procesit, Drejtoria Vendore e Policisë Durrës apelon për qetësi dhe vetëpërmbajtje, duke mos përhapur panik me deklarata të pabazuara në fakte dhe fton cilindo që ndeshet me çfarëdolloj paligjshmërie, që të denoncojë në numrin pa pagesë 112, duke iu siguruar reagim të menjëhershëm dhe profesional.”