Vendosni fjalën kyçe....

Djali i bosit të dyshuar të mafies vritet teksa Napoli festonte titullin kampion – Media


Një burrë që besohet të jetë djali i një bosi të dyshuar mafioz u qëllua për vdekje në Napoli të enjten mbrëma, me tre persona të tjerë të lënduar, raportojnë mediat lokale.

Vrasja ndodhi në një sfond festash të zhurmshme, me dhjetëra mijëra tifozë futbolli që vërshuan në rrugët e qytetit pasi skuadra vendase, Napoli, fitoi titullin kampion në Serie A.

Vincenzo Costanzo u qëllua disa herë dhe u dërgua në spital, ku humbi jetën pas plagëve të marra disa orë më vonë.

Sipas gazetës Il Mattino, duke cituar njësinë hetimore të policisë lokale, 26-vjeçari ishte me të dashurën dhe dy shokët e tij kur vrasësit qëlluan gjithsej shtatë herë në drejtim të tyre. Shoqëruesit e Costanzos u plagosën të gjithë gjatë të shtënave.

Familjarët e viktimës, të cilët kishin mbërritur në spital, thuhet se thyen dyert dhe pajisjet në dhomën e urgjencës pasi morën vesh për vdekjen e të riut.

Costanzo ishte djali i anëtarit kryesor të mafies napolitane, Maurizio Costanzo, pohoi media, duke cituar autoritetet. Shkrimi vuri në dukje se ekziston një konflikt i vazhdueshëm midis disa klaneve që përbëjnë rrjetin kriminal.

Vrasja ndodhi ndërsa dhjetëra mijëra tifozë të ngazëllyer të Napolit festuan një barazim 1-1 kundër Udineses, i cili i siguroi skuadrës titullin e lakmuar të ligës, të cilin e kishte fituar për herë të fundit në vitin 1990.

Kryebashkiaku i Napolit, Gaetano Manfredi, nxitoi të theksojë të premten se të shtënat nuk kishin ‘asnjë lidhje me festimet’.

Të enjten në mbrëmje, njerëzit me shalle, këmisha dhe flamuj të Napolit organizuan festa spontane në rrugë dhe hodhën fishekzjarrë për të shënuar këtë rast.

Megjithatë, festimet u dëmtuan nga përleshjet  e dhunshme nëpër Napoli. Përveç një të vdekuri dhe tre të plagosurve në atentat, më shumë se njëqind njerëz u shtruan në spital pas argëtimeve të së enjtes mbrëma. Një 20-vjeçare ndodhet në gjendje kritike për jetën pasi është përplasur nga një automjet. Të plagosur kanë mbetur edhe tre policë.