Kandidati i opozitës për Durrësin Igli Cara pohoi se qytetarët mezi e presin ndryshimin duke theksuar se 16 vitet e fundit kanë qenë shkatërruese për Durrësin.
I ftuar në rubrikën ‘Kjo Javë’ në News24, Cara thase betonizimi i qytetit, rritja e kostos së jetesës, mungesa e ujit, transporti urban problematik si dhe procesi i rindërtimit janë probleme të pazgjidhura të qytetit.
“Ka qenë një fushatë që ka lënë mbresa të jashtëzakonshme… Një kryefjalë kam dalluar, qytetarët presin një ndryshim. Këto 16 vitet e fundit kanë qenë shkatërruese për Durrësin dhe më duket se dëmi që i është bërë, mund ta krahasojmë me dëmin që është shkaktuar nga tërmeti. Rinia ka ikur, kjo vjen dhe për shkak të qeverisjes së keqe edhe të pushtetit lokal. Në këto vite është transformuar jo për mirë. Betonizim i qytetit, duke dëmtuar edhe trashëgiminë dhe identitetin e qytetit. E para kryefjala është që bashkia është një derë e mbyllur për qytetarët, sepse është menduar si pronë e një grupi të caktuar, Dako e Sako. Në çdo takim më thonë që nuk vinë as të ballafaqohen me premtimet. Sako nuk pranon të dalë në përballje me rivalin dhe kjo tregon shumë. Kostot e jetesës janë rritur shumë dhe nuk kanë marrë shërbimet që duan. Më shumë se gjysma e qytetit ka ujë me ndërprerje, transporti urban lë për të dëshiruar, procesi i rindërtimit një plagë që në këto katër vite ka rënduar në Durrës. Sot nuk është mbyllur as 50% e procesit të rindërtimit.” – tha Cara.
Kandidati i opozitës shtoi se socalistët po përpiqen të manipulojnë qytetarët duke u premtuar shtëpi me lista duke e quajtur të gjithë propagandë për të fituar vota.
Ai tha se gara e 14 majit nuk bëhet për të ndryshuar emra po filozofinë e qeverisjes.
“Kjo garë nuk është për të ndryshuar emrat, por për të ndryshuar filozofinë e qeverisjes së qytetit, nuk duhet parë si pronë e disa njerëzve, pronarët e vërtetë janë qytetarët sepse janë ata që paguajnë taksa. Ai kryqi në fletën e votimit është firma që hedhin qytetarët për të marrë në punë administratën e bashkisë. Pikat e mia më të forta, kapitali më i çmuar i qytetarit është njeriu të cilit duhet t’i sigurojmë mirëqenie. nisur nga shkollat kopshtet e çerdhet, tek trajtimi i papunësisë me trajnimin falas të të rinjve, menaxhimi i mirë i parasë publike dhe kthimi i tyre në shërbime. Mosha e tretë është lënë pas dorë, jo për pensionet sepse atë e ka në dorë qeveria, por në krijimin e ambienteve çlodhëse.” – shtoi Cara.