Kryeministri Edi Rama ishte sot në Vlorë ku prezantoi, me Njësinë Policore Detare, një strukturë të re sezonale për të siguruar pushuesit në zonat bregdetare.
Kjo njësi do të jetë e përbërë nga 104 punonjës policie, e ndërsa në terren do të jenë 35 Jet Ski që do të patrullojnë në vijën bregdetare nga veriu në jug, në zonat më të populluara turistike dhe do të jetë në funksion përgjatë gjithë sezonit veror.
Detyra e tyre do të jetë kontrolli i detit sa i përket respektimit të rregullave nga përdoruesit e mjeteve motorike, si edhe do të jenë në gatishmëri për t’iu ofruar ndihmë çdo qytetari që ndodhet në rrezik.
Rama kujtoi edhe ngjarjen që ndodhi verën e kaluar në Potam, ku humbi jetën një 7 vjeçare, pasi u godit nga një skaf, të cilën e cilësoi si një humbje të tmerrshme dhe tha se duhet të shërbejë si një mësim.
“Në sezonin e shkuar turistik, një ngjarje e provokuar nga një pjesëtar i padenjë, një shëmbëlltyrë e së keqes në polici. Humbi jetën një vogëlushe dhe doli në pah një dobësi e shtetit në përballjen me një peshë krejt ë re si rezultat i një transformimi të vazhdueshëm të sezonit turistik dhe i futjes në këtë sezon i mjeteve të ujit të cilat janë shtuar ndjeshëm, por duke shtuar ndjeshëm rrezikun dhe për pasojë edhe shkallën e përgjegjësisë të forcave të policisë. U desh ajo tragjedi për të reaguar dhe për të nxjerrë një mësim të madh dhe për t’iu përgjigjur sfidës së re dhe një rreziku të shtuar me krijimin e një njësie të ujit që është këtu me gjithë mjetet e nevojshme për ta vënë në kontroll aktivitetin në ujë të mjeteve lundruese private”, tha Rama
Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar masa të rrepa për efektivët, nga drejtuesi i policisë së qarkut deri të shefat e Komisariateve në rast mos zbatimi të ligjit.
“Kompromiset, apo shtrira për bashkishe për të lejuar zhurma pseudomuzike përtej afatit që i përkasin të shkuarës, bizneset të ndjehen në shtëpinë e tyre të patrazuar nga askush dhe asgjë, dhe asnjë të mos ndihet i fyer sepse atij i mbyllet muzika sipas rregullit, ndërsa atij tjetrit i lihet muzika kundër rregullit. I kam kërkuar drejtorit që për cdo rast masa ndaj drejtuesit të policisë së qarkut, shefit të komisariatit dhe atyre që mbulojnë zonën të jetë drastike, e menjëhershme të jetë largim pa kthim nga policia e shtetit. Duhet një qetësi, një rregull, një pastërti, një lehtësi të paharrueshme që të huajt që vijnë këtu të largohen me kujtimin se në Shqipëri gjetën atë që nuk e prisnin, respekt, siguri dhe mirësjellje nga Punonjësit e policisë së shtetit, të policisë rrugore, nga ato në territore”, tha Rama