Sot më shumë se 2.200 të ftuar, përfshirë krerë shtetesh, emra të famshëm dhe organizata humanitare nga 203 vende si dhe anëtarë të familjes mbretërore, do të marrin pjesë në ceremoninë e kurorëzimit të mbretit të Britanisë së Madhe, Charles III, i cili bashkë me gruan e tij Camilla do të kurorëzohen sot në Westminster Abbey në Londër.
Në kurorëzimin e Mbretëreshës Elizabeth II në vitin 1953 morën pjesë më shumë se 8.200 të ftuar.
Princi William dhe gruaja e tij Kate, si dhe motra dhe vëllai i mbretit Charles, Princesha Anne dhe Princi Edward, do të marrin pjesë në ceremoni.
Princi Harry ka konfirmuar se do të marrë pjesë në ceremoni, por jo edhe gruaja e tij Meghan. Në mesin e të ftuarve që do të marrin pjesë në ceremoninë e kurorëzimit do të jenë edhe liderë botërorë dhe figura të rëndësishme politike.
Përveç kryeministrit britanik Rishi Sunak, në ceremoni do të marrin pjesë ministra dhe anëtarë të Dhomës së Lordëve si dhe ish-kryeministrat britanikë si Liz Truss dhe Tony Blair si dhe kryeministri skocez Hamza Yusuf.
Në mesin e figurave politike që do të marrin pjesë në ceremoninë që do të mbahet në Londër janë presidenti francez Emmanuel Macron, kryeministri australian Anthony Albanese, kryeministri i Zelandës së Re Chris Hipkins dhe presidentja e Komisionit të Bashkimit Evropian (BE) Ursula von der Leyen.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani si dhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj gjithashtu do të jenë të pranishëm në këtë ceremoni.
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e kurorëzimit, por gruaja e tij Jill Biden do të jetë e pranishme në emër të vendit të tij. Gjithashtu në ceremoni pritet të marrin pjesë edhe udhëheqësit fetarë dhe përfaqësuesit e Komonuelthit të Kombeve.
Ndër anëtarët e familjeve mbretërore të vendeve të tjera, të cilët janë në Londër për të marrë pjesë në ceremoninë e kurorëzimit, do të jenë Princi Albert i Monakos dhe gruaja e tij Princesha Charlene, Mbreti i Spanjës Felipe dhe gruaja e tij Mbretëresha Letizia, Princi i Kurorës së Japonisë Akishino dhe gruaja e tij Princesha Kiko.
Mbreti Charles dhe gruaja e tij Camilla ftuan 850 përfaqësues të komunitetit në ceremoninë e kurorëzimit për shkak të punës së tyre humanitare.