Vendosni fjalën kyçe....

Princi i Libofshës dhe fotografi i Melania Trump


Nga Ben Blushi

Aleksandër Dë Basevillen e pashë në kafen e Operas. Në Tiranë.

Ti je princi i Libofshës, e pyeta.

Kështu më quajnë mediat e Shqipërisë, tha.

Domethënë nuk pretendon tokën e Libofshës?

Nuk e pretendoj, por e kërkoj, tha Aleksandri.

Mbi ç’baza e kërkon, e pyeta.

Sepse ajo tokë ka qenë e jona që nga koha e Karlit të Madh të Anzhusë.

Çfarë lidhje ke me Karlin e Anzhusë?

Familja ime rrjedh nga Karli i Anzhusë, që u bë mbret i Shqipërisë në vitin 1272.

Dhe Libofsha ishte nën zotërimin e Karlit të Anzhusë?

Gjithë zona nga liqeni i Shkodrës deri në liqenin e Butrintit, në linjë vertikale deri 30 kilometra në brendësi të tokës, ishte Mbretëria shqiptare e Anzhuve, paraardhësve të mi.

Si janë njerëzit në Libofshë?

Si në Norvegji, të gjatë dhe biondë.

Ça do bëje nëse do ta kishe Libofshën?

Do ndërtoja një port të madh në Fier.

Me çfarë je marrë gjatë jetës?

Kam qenë artist.

Si u bëre artist?

Nga Andi Warhol, ai më mësoi pikturën dhe fotografinë.

Ai shiti një pikturë të Merlin Monrosë, 195 milionë dollarë, thashë unë.

Andi ishte shumë i zgjuar dhe pa komplekse, megjithëse ishte ballkanas, tha Aleksandri.

Pse ishte ballkanas?

Sepse ishte nga Sllovenia.

Ke fat me sllovenët, edhe Melania Trump ishte sllovene, thashë unë.

Edhe ajo është sllovene, tha Aleksandri.

Më trego si e fotografove nudo, e pyeta.

Unë e fotografova kur ajo nuk ishte gruaja e Trump, por dihej që ishte e dashura e tij.

Po pse dihej dhe nuk thuhej, e pyeta.

Sepse, nëse gruaja e Donald Trump do merrte vesh që ai kishte një të dashur, do t’i merrte me gjyq gjysmën e pasurisë.

Ku e gjete Melanian, e pyeta.

Më duhej një modele për një fotografi me dy vajza të zhveshura dhe një agjenci në Nju Jork më prezantoi me Melanian në vitin 1996.

Po ti e shite atë fotografi kur Trumpi u bë president në vitin 2016, thashë unë.

Po, ia shita New Jork Post në vitin 2016 dhe fotoja ishte kopertinë dy ditë rresht.

Çfarë tha Donald Trump kur pa gruan lakuriq në gazetat e gjithë botës?

Ai ishte krenar, tha Aleksandri.

Si mund të ishte krenar, e pyeta.

Po ajo foto nuk është pornografi, është art, njëlloj siç del Jezu Krishti lakuriq në muralet e kishave.

Çfarë personazhesh të tjerë ke fotografuar?

Shumë, tha Aleksandri, John Galiano, Kate Moos.

Si ishte Kate Moss?

Çka, tha Aleksandri.

Ajo ishte modelja më e famshme e botës në atë kohë, thashë unë.

Jo për shijet e mia, tha Aleksandri.

Sa herë je martuar?

Tri herë

Me kë?

Herën e parë me kushërirën time, kur isha 9 vjeç.

Po herën e dytë?

Me një modele.

Po herën e tretë?

Me mbesën e Charlie Chaplin.

Si ishte mbesa e Charlie Chaplin?

E droguar.

Do ktheheshe më tek ajo?

Një derë që mbyllet nuk hapet më.

Po ti drogoheshe kur ishe me të?

Nëse unë drogohem vdes, tha Aleksandri.

Domethënë nuk ke marrë kurrë drogë?

Kurrë.

Çfarë sëmundje ke?

Kam double genetic desease, në familjen e cavernomatosis, është e trashëguar.

Si e trashëguar?

Kjo sëmundje është simboli i familjes sonë, kush nuk e ka, nuk është i familjes.

Çfarë do të thuash, e pyeta.

Të gjithë meshkujt e familjes sonë prej mijëra vitesh vuajnë nga ky çrregullim cerebral, a e di pse?

Nuk e di, i thashë.

Sepse ne martohemi brenda familjes, pra vëllai me motrën, mbesa me dajën, gjyshi me mbesën, tezja me nipin, çdo lloj përzierje të mundshme.

Prandaj u martove dhe ti me kushërirën, e pyeta.

Në fillim po, por unë jam i vetmi që bëra martesa të tjera, me gra që nuk janë të të njëjtit gjak me mua.

Çfarë fëmijësh ke?

Një djalë me një grua shqiptare.

Po djali mund ta trashëgojë këtë sëmundje?

Mundet, tha Aleksandri.

Çfarë simptomash ke, e pyeta.

Kam kriza të ngjashme me epilepsinë, një mosfunksionim i trurit, tha Aleksandri.

Çfarë ndodh kur të kapin krizat?

Mund të vdes, pothuajse kam vdekur disa herë.

Kur ishte hera e fundit?

Në 2014 më kapi kriza dhe më shpëtoi një kirurg në Francë.

Pra ti jeton gjithë kohën me panikun e vdekjes së menjëhershme?

Sëmundja më ka ndihmuar, tha Aleksandri.

Si të ka ndihmuar?

Sepse nuk bëj më plane afatgjata, por mendoj vetëm për nesër.

Hajde çohemi sepse nëse të kap kriza tani, nuk do të bëj dot fotografi, thashë unë.

Mund të më fotografosh të vdekur, do e shisje shumë atë foto, tha Aleksandri.