Qeveria do të dalë sërish këtë vit në tregun financiar ndërkombëtar për të marrë 500 milionë euro borxh përmes emetimit të një eurobondi të ri. “Eurobondi (komponent i huasë afatgjatë në financimin e huaj) pritet të emetohet me një vlerë indikative prej 59.3 mld lekë (500 mln Euro),” thuhet në dokumentin zyrtar për Planin Vjetor të Huamarrjes 2023.
Burime nga Ministria e Financave thanë për Oligarkia.al se dalja në treg është planifikuar për në muajin qershor, por gjithmonë duke parë konjukturat e tregut.
Në buxhet e këtij viti, qeveria ka programuar të marrë 55 miliardë lekë ose rreth 495 milionë euro hua në total. Nga këto 200 milionë euro do të financohen nga humarrja në tregun e brendshëm përmes letrave me vlerë të qeverisë, ndërsa 300 milionë euro nga grantet, kreditë e buta dhe humarrja në tregun e lirë ndërkombëtar.
Por pse qeveria do të marrë 500 milionë euro borxh përmes eurobondit, kur kufiri i programuar I huamarrjes së jashtme është 300 milionë euro? Arsyeja është se qeveria ka menduar të shlyejë para kohë një pjesë të borxhit të marrë përmes eurobondit në vitin 2020, i cili maturohet pas dy vjetësh.
“Emetimi i ri është planifikuar të shoqërohet me një transaksion të riblerjes së një pjese të eurobondit që maturohet në vitin 2025, duke ulur kështu rrezikun e rifinancimit të atij viti,” sqarohet në Planin e Humarrjes.
Por Ministria e Financave thotë se në çdo rast, emetimi i Eurobondit si dhe blerja mbrapsht do zhvillohen vetëm nëse kushtet e tregut konsiderohen të favorshme, pra me norma të ulëta interesi. Në rast se emetimi nuk ndodh, MFE ka parashikuar një sërë alternativash të tjera financimi.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Oligarkia