Vendosni fjalën kyçe....

Shpërthen zjarri në fabrikën kimike në Teksas, flakët e tymi pushtojnë qiellin (Video)


Të paktën tetë punëtorë u shtruan në spital pasi një zjarr shpërtheu në një fabrikë kimike të ‘Shell’ në Teksas të premten, duke lëshuarnjë re të lartë tymi të zi në qiell. Zyrtarët thonë se tani po mbikëqyrin ajrin për nënprodukte toksike.

Ekipet e emergjencës u thirrën në objektin petrokimik ‘Shell’ në periferi të Houston pas orës 15:00 me orën lokale, tha kompania në një deklaratë, duke vënë në dukje se ndërsa nuk pati lëndime në zjarr, një numër kontraktorësh ishin ‘të ekspozuar ndaj produktit’ dhe kërkuan trajtim si një ‘masë paraprake’.

Shell nuk specifikoi se me çfarë kimikatesh mund të kenë rënë në kontakt punëtorët. Sherifi i qarkut Harris Ed Gonzalez tha se fillimisht mori ‘raporte paraprake për një lloj shpërthimi’, por më vonë deklaroi se nuk kishte shpërthim.

 

Megjithatë, pamjet e kapura nga një stacion televiziv lokal tregojnë një lëmsh të madh zjarri që ngrihet nga uzina pasi ekipet e zjarrfikësve besuan se flakët ishin shuar. Zyrtarët thanë se rindezja u shua brenda rreth 30 sekondave dhe se shpërthime të tilla duhet të priten.

Zjarrfikësit mund të shihen duke luftuar me flakët në pamjet që bënë xhiron e mediave sociale, me disa video që tregojnë gjithashtu një shtëllungë masive tymi që ngrihet në qiell.

Firma shtetërore e naftës në Meksikë ‘Pemex’ operon një rafineri pranë fabrikës ‘Shell’, por kompania tha se zjarri nuk arriti në objektin e saj.