Banorët e Bërxullës kanë dalë sërish në protestë kundër projektit të rrugës Thumanë-Kashar që prek pronat e tyre.
Ata protestojnë prej 8 muajsh duke i kërkuar qeverisë vlerësim të pronave me çmimin e tregut, ndërsa kanë paralajmëruar se nuk do marrin pjesë në votimet e 14 majit.
Kryeplaku i fshatit, Muharrem Koni tha se shteti t’u japë zgjidhje kërkesave të drejta që kanë.
“Jemi ankuar në të gjitha institucionet, nga kryeministria në institucionet më pas dhe në ambasada. Ne kemi kërkuar shpronësimin e pronës me vlerë tregu apo me marrëveshje. Avokati i Popullit është një nga institucionet që nuk e ka vendosur ujin në zjarr. I vetmi institucion që nuk ka dhënë përgjigje.
Projekt rruge nuk ka as sot e kësaj dite. Që ditët e para kemi kontaktuar me avokatë dhe para dy ditësh, nga një vendim i gjykatës së Apelit toka duhet të shpronësohet me vlerën e tregut. Fshati duhet të bojkotojë zgjedhjet. Shteti ka 8 muaj që hesht dhe nuk na jep zgjidhje, atëherë dhe ne nuk duhet të marrim pjesë në votime sepse shteti nuk na njeh. Unë e kam takuar kandidatin e opozitës si dhe kryebashkiakun aktual të zonës, por këtu nuk është pyetur bashkia por ka hyrë Ministria e Infrastrukturës vetë. Kontrata e parë ka qenë me privat dhe e dyta me koncesionarin. Balluku ka thënë se shteti nuk investon asnjë qindarkë për këtë rrugë, por e merr pas 35 vitesh, atëherë pse shteti merr pjesë në shpronësime.” – tha kryeplaku i fshatit, Muharrem Koni.