Vendosni fjalën kyçe....

Bejko ironizon Këlliçin: Ne dimë ku t’i fusim duart e ku të vëmë gishtin


Kandidati i PD-së për Tiranën Roland Bejko ka ironizuar posterin elektoral të Belind Këlliçit me dy gishtat e mesit të ngritur, që shkaktoi jo pak zhurmë ditët e fundit.

Ai ishte i ftuar në Euronews.al ku tha se bashkia e drejtuar prej tij do dijë ku t’i fusë duart e ku të vërë gishtin.

Sipas Bejkos tregu i ndërtimit duhet çliruar duke ndërprerë bashkëpunimin e oligarkisë politike me krimin në një skemë  ku po pastrohen lekët e pista.

“Tregu i ndërtimit duhet të çlirohet, duke prerë duart e oligarkisë politike dhe krimit, që në partneritet me Ramën po pastrojnë para, 1,6 miliënë euro pastrohen në Tiranë.  Do hetojmë lejet e ndërtimit dhe do bashkëpunojmë me drejtësi që ky lloj monopoli të marrë fund. Bashkia ka në dorë që të mos i përqendrojë në pesë duar fondet, kjo tregon korrupsion të lartë. Ne dimë se ku t’i fusim duart, dimë dhe ku ta vëmë gishtin.” – tha Bejko.

Ai tha gjithashtu se programi i tij parashikon ndërtimin e pesë parkimeve të tjera nëntokësore si dhe  taksim për mjetet që vijnë nga rrethet.

“40 mijë mjete vijnë në Tiranë çdo ditë, do ndërtojmë 5 parkime nën dhe mbitokësore dhe nga aty më pas njerëzit mund  të lëvizin me një autobus ekspres për në Tiranë siç ndodh në metropolet e Evropës. Të ardhurit do ta kenë më të vështirë të futen në Tiranë se do të taksohen. Trafiku zgjidhet në origjinë, aty ku fillon.” – shtoi Bejko.