Boiken Abazi i Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri, në një opinion të tijin personal ku sqaron se nuk është mendim i asnjë grupimi apo entiteti tjetër, ka kërkuar që në Tiranë të votohet për Belind Këlliçin.
Abazi kërkon që të merret pjesë në votime.
Sipas tij, mospjesëmarrja është një ndihmë për vijimin e partisë në pushtet. Boiken Abazi bën thirrje se votimi, dhe vota për Belind Kelliçin për kryetar Bashkie, është e vetmja rrugë për të çbetonizuar sundimin 10 vjeçar në vend. Ndërkohë për subjektet, ai do të preferonte që të merrnin mbështetje partitë e reja.
Postimi i plotë:
Mospjesëmarrja në votime nuk është neutralitet (një propozim për zgjedhjet lokale në Shqipëri)
Në shumicën e zgjedhjeve, partia në pushtet përfiton nëse pjesëmarrja në votime është e ulët. Duke patur pushtetin, e ka më të lehtë organizimin në terren për të nxjerrë bazën e saj në votime. Kjo vlen edhe për këto zgjedhje në Shqipëri. Kjo vlen veçanërisht për Shqipërinë, kur shohim mënyrën se si pushteti i përdor të gjitha mjetet publike që ka në dispozicion për të fituar zgjedhjet. Pra, kush po mendon të mos votojë në këto zgjedhje, nga që nuk është i/e bindur nga asnjëra palë, dhe mendon se përmes mospjesëmarrjes ruan pastërinë e tij/saj, nuk i ka bërë mirë llogaritë. Një shoqëri ndikohet jo vetëm nga aktet që ne kryejmë, por edhe nga aktet që ne vendosim të mos i kryejmë. Duam apo s’duam, duke mos votuar, i mbajmë anën (edhe pse jo me dashje) pushtetit. Prandaj, mosvotimi në këto zgjedhje është miratim (indirekt) në heshtje i pushtetit aktual.
Kjo nuk do të thotë se votimi sjell ndryshim real. Në fakt, edhe nëse ndërrohet pushteti vështirë të ketë ndryshime domethënëse për qytetarët nga partitë e mëdha që janë aktualisht në garë. Është vështirë madje edhe që vota mos të vidhet. E di këtë sepse e pash në zgjedhjet e fundit, e regjistruam me celularët tanë dhe e publikuam, e pamë edhe nga kamerat e KQZ-së dhe i publikuam edhe ato pamje që dëshmonin pa asnjë mëdyshje se kush i vidhte dhe si i vidhte votat, edhe pas votimit, në tavolinat e numërimit. Pavarësisht denoncimeve me video në KQZ, Polici e me radhë, askush nuk u dënua. Askush.
Si të veprohet atëherë, nëse kur nuk votojmë i mbajmë anën indirekt pushtetit, e nëse votojmë nuk është e thënë se ndryshojmë diçka, dhe madje edhe votën mund të na e vjedhin? Dilema nuk është e vogël, por e ka një dallim. Rasti i parë i mosvotimit, është e sigurtë që ndihmon pushtetin. Rasti i dytë, ka një probabilitet, sado të vogël, që të ketë një ndikim, sado të vogël. Për pushtetin është më e lehtë të vjedhë pak vota, sesa një lum votash. Prandaj, votimi mbetet një opsion më domethënës, gjithnjë pa e gënjyer veten për situatën dhe aktorët që janë në garë.
Për kë të votojmë atëherë? Secili duhet ta vendos vetë, por në Tiranë, një zgjidhje mund të ishte:
1.Vota për kryetar: Belind Këlliçi, si mundësi për të çbetonizuar sundimin 10 vjeçar mbi Shqipërinë.
2.Vota për Këshillin Bashkiak: subjekteve të reja politike!
* Mendimet dhe opinionet e shprehura më lart janë personale, dhe për to nuk mban përgjegjësi askush tjetër përveç meje.