Dy autorët e dyshuar për dhunën ndaj një gazetari dhe bashkëshortes së tij janë arrestuar në Lezhë.
Dyshohet se shtetasit e shpallur në kërkim, I.(E). A., 35 vjeç P.(L). P., 32 vjeç, kanë goditur për shkak të detyrës gazetarin Elvis Hila dhe bashkëshorten e tij.
Dy të rinjtë akuzohen për veprat penale “Goditje për shkak të detyrës” dhe “Plagosja e rëndë me dashje”, pasi dhunuan fizikisht më 25 janar gazetarin.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, në vijim të punës policore për kapjen e personave në kërkim për vepra të ndryshme penale dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore, gjatë ditës së sotme, kanë ndaluar shtetasit e shpallur në kërkim: I.(E). A., 35 vjeç, banues në Zejmen dhe P.(L). P., 32 vjeç, banues në Manati. Këta dy shtetas ishin shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, ka caktuar ndaj tyre masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Goditje për shkak të detyrës” dhe “Plagosja e rëndë me dashje”, sepse më datë 25.01.2023, në Lezhë, kanë dhunuar fizikisht, për shkak të detyrës, shtetasin E. H., 32 vjeç, banues në Lezhë, me profesion gazetar, si dhe bashkëshorten e tij. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”-njoftoi policia.
Sipas kallëzimit të gazetarit në polici kjo ka ndodhur për shkak të detyrës, të cilën e konfirmoi edhe policia.
Ngjarja ndodhi më 25 janar, rreth orës 16:40, ku dy personat i kanë dalë përpara gazetarit dhe e kanë dhunuar. Në këto momente ka ndërhyrë edhe bashkëshortja e tij, e cila edhe ajo është dhunuar fizikisht. Dy autorët e dyshuar, Paulin Përgjini dhe Indrit Ameri, u shpallën në kërkim nga policia pas denoncimit të gazetarit.
Gjithçka lidhet me lajmin që media, ku Hila punon, publikoi atë ditë për një person që u dënua në Lezhë me 1 vit burg për falsifikim dokumentesh.
Ai dëshmoi se: “Rreth orës 16:42 isha me bashkëshorten time dhe jam telefonuar nga një tjetër shtetas me numrin +3556936XXXXX i prezantuar si shtetasi Paulin Pergjini dhe me kërkoi që të takoheshim përballë Bar Firence në afërsi të rrugës së spitalit. Kur jam afruar aty e kam telefonuar numrin në fjalë dhe ka dalë nga një automjet tip Golf 6 i cili ishte i parkuar në anë të rrugës.
Nga kjo makinë ka dale edhe shtetasi Indrit Ameri, emrin e të cilit nuk e di. Më thanë që të parkoja makinën dhe të dilja nga makina.
Unë e parkova në anën e rrugës së vjetër të spitalit dhe aty me janë afruar personat në fjalë të cilët unë i identifikova si Paulin Përgjini dhe personi tjetër me Indrit Ameri dhe filluan të më kërkonin llogari dhe të më kërcënonin në lidhje me lajmin e publikuar.
Pasi unë nuk pranova të zbrisja nga makina tentuan të më hapnin derën e makinës dhe në këtë moment ka zbritur bashkëshortja ime shtetasja Benereta Hila që t’u thoshte që të largoheshin.
Pasi bashkëshortja ime tentoi t’i largonte nga dera e makinës dhe po mundohej të telefononte policinë, shtetasi me Indrit Ameri i ka rënë me dorë telefonit dhe pasi ajo është ulur për të marrë telefonin ky shtetas e ka goditur me grusht në pjesën e pasme të qafës.
Dhe më pas kanë ardhur në drejtimin tim dhe ka tentuar të më nxjerrë me forcë nga makina.
Pasi nuk arritën të më nxirrnin nga makina shtetasit Paulin Përgjini dhe Indrit Ameri më kanë goditur me shkelma dhe grushte. Bashkëshortja ime ka hipur në makine dhe jemi larguar drejt spitalit ku dhe morëm mjekimet e duhura.
Proces-verbalin e kallëzimit pasi e lexoj dhe konfirmoj se thëniet e mia janë shkruar drejt dhe e kuptoj çfarë kam thënë, e firmos pa asnjë vërejtje”, dëshmonte në polici, gazetari Hila.