Vendosni fjalën kyçe....

Lëvizja Bashkë njofton marrëveshjen për kontratën kolektive për punonjësit e fasonerisë


Lëvizja Bashkë ka njoftuar arritjen e njëmarrëveshjeje për një kontratë kolektive për punëtorët e fasonerisë.

Në faqen e lëvizjes në Facebook, shkruhet se kontrata në fjalë është e para për sektorin në fjalë.

Sipas Lëvizjes Bashkë, kontrata do u sigurojë më shumë të drejta e kushte anëtarëve të sindikatës duke nisur nga respektimi i orarit të punës, ditët e festave, sigurimet shoqërore e pagesa e orëve shtesë.

“KONTRATË KOLEKTIVE PËR PUNËTORET E FASONERISË

E sotmja është padyshim një datë historike në përpjekjen sindikale shqiptare, jo vetëm sepse sot për herë të parë u arrit nënshkrimi i Kontratës Kolektive për punëtorët e sektorit fason, por edhe sepse kjo marrëveshje u arrit nga një sindikatë e vërtetë, një sindikatë e punëtorëve dhe për punëtorët – Sindikata e Punëtorëve të Fasonerive (SPF). Kjo fitore vjen pas një përpjekjeje të gjatë të punëtoreve për të drejtat e munguara në vendin e punës.

Kujtojmë se më 3 janar të këtij viti, punëtoret e kësaj sindikate në degën Bilisht hynë në një grevë dy-ditore, duke bërë të mundur rikthimin në punë të përfaqësues së tyre, znj. Mirjeta Mulla, dhe nisjen e bisedimeve për nënshkrimin e Kontratës Kolektive. Sot më në fund u arrit marrëveshja mes kryetarit të sindikatës, z. Elton Dervishi – njëkohësisht edhe kandidat për Këshillin Bashkiak të Tiranës nga Lëvizja BASHKË – dhe pronarit të kompanisë “Toni Oil”

. Kjo kontratë do t’u garantojë shumë të drejta punëtoreve të sindikatës, që nga respektimi i orarit të punës dhe ditës së festave, e deri te sigurimet shoqërore dhe pagesa për orët shtesë. Fitorja e sotme ka edhe një dimension tjetër  – atë të emancipimit gjinor. Shumica dërrmuese e punëtoreve nëpër fasoneri janë gra, prandaj përpjekja e tyre kolektive për të drejta dhe dinjitet në vendin e punës – por edhe në shoqëri – kalon përmes fitoreve sindikale.”