Vendosni fjalën kyçe....

Arrestohet në Marok ekzekutori i dyshuar i biznesmenit Ardian Nikulaj


Arrestohet në Marok, Ruben Saraiva, vrasësi i dyshuar i biznesmenit Ardian Nikulajt.

Portugezi është arrestuar në Rabat pas shkëmbimit të informacioneve mes zyrave të Interpolit. 

Ndaj 28-vjeçarit rëndojnë akuzat  “Vrasja për gjakmarrje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.

Tashmë në kërkim mbetet edhe një shtetas britanik pasi deri më tani janë arrestuar Edmond Haxhia i dyshuar si porositësi dhe organizatori i vrasjes dhe 4 shtetas të tjerë që dyshohet se ndihmuan deri në ekzekutimin e Nikulajt nga qitësi Ruben Saraiva. 

Falë informacioneve të siguruara si rezultat i punës kërkimore, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese, u bë i mundur lokalizimi dhe kapja në Marok, e autorit të dyshuar të vrasjes së shtetasit Ardian Nikulaj.

Policia marokene, pas shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Rabat, Marok, ka bërë të mundur lokalizmin në Rabat, Marok, kapjen dhe vënien në pranga, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, të shtetasit portugez R. R. S., 28 vjeç.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, me vendimin nr. 97, të datës 26.04.2023, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja për gjakmarrje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.

Policia e Shtetit në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese dhe me autoritetet marokene, po punon për të bërë të mundur ekstradimin e 28-vjeçarit, drejt Shqipërisë.

Ndërkohë, vijon intensivisht puna kërkimore në bashkëpunim të ngushtë me partnerët, për lokalizimin dhe kapjen edhe të shtetasit të fundit të shpallur në kërkim në lidhje me këtë ngjarje.’- njofton policia.