Vendosni fjalën kyçe....

Rama: Bashkia Shkodër na ka nxirë jetën në projektet që kemi bërë, nuk bëjmë debat me kandidatët e “faqes së zezë”


Kryeministri Edi Rama deklaroi në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV se me kryebashkiakët e djathtë është e pamundur të punosh.

Rama u shpreh se për tre akse të ndërtuara në Shkodër, Velipojë -Shëngjin dhe Theth, Bashkia “ia ka nxirë jetën” qeverisë.

Ndër të tjera, Rama i quajti kandidatët e koalicionit Meta-Berisha si kandidatë të “faqes së zezë”.

Nuk bëjmë ne debat me kandidatët e faqes së zezë të këtij vendi. Nuk bëjmë debat me ta. Nuk na ngelet ne t’i njohim se i njeh forca që i ka regjistruar, i njeh KQZ. Ata janë kandidatë të një faqeje të zezë, e keni me damkë të DASH, të Mbretërisë së Bashkuar, dhe të BE, i cili nuk përdor këtë lloj mekanizmi, por për ata që kanë këtë lloj damke i kanë dyert e mbyllura.

Kjo është përpjekje e atyre personazheve për të qenë protagonistë në politikë, për të marrë pengje sa të munden, për të marrë ndonjë bashki aty -këtu. Unë mbaj atë anë që do të mbajnë të gjithë shqiptarët, duhet të mbajnë një qëndrim shumë të thjeshtë. Me një forcë që është marrë peng nga një i damkosur nga SHBA, nuk duhet të kenë asnjë iluzion. E kanë? Është puna e tyre.

Edhe inserti i parë dhe i dyti, janë të mira për të bërë spektakël, por janë gjysmë të vërteta. Ato batuta të shpëkutura ishin një minutë e gjysmë insert, por fjalimet e mija deri tani mund të jenë nga 30 orë. Kjo tjetra është më keq se unë këtë e kam shpjeguar. Nuk është se s’do dua unë të bëj punë me ata, por me ata nuk punohet dot.

Ne kemi bërë për Shkodrën më shumë investime se çfarë ka bërë partia e tyre kur ishte. Kemi bërë rrugën Shkodër-Velipojë, Shkodër-Theth…kemi nisur rrugën Shëngjin-Velipojë, tre akse strategjike për ekonominë dhe turizmin e Shkodrës. Na kanë nxirrë jetën në këto raste, Bashkia e Shkodrës, dhe çdo bashki tjetër duhet të merret me procesin e shpronësimeve“, u shpreh Rama.