Kandidati për Bashkinë e Tiranës i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori zhvilloi takime me qytetarë rastësorë në zonën e Kinostudios në kryeqytet.
Aktivistët prezantuan për qytetarët programin e Lëvizjes Bashkë dhe ofertën e tyre për 14 majin.
“Sot pasdite një grup aktivistësh të Lëvizjes BASHKË ecën përgjatë rrugës së Shkollës së Bashkuar dhe lagjes së Kinostudios, duke shpërndarë fletushka dhe biseduar me qytetarë të shumtë. Emri i kandidatëve dhe programi i Lëvizjes BASHKË po bëhen gjithnjë e më të njohur për qytetarët falë aktivizmit tonë dhe seriozitetit me të cilin po e çojmë përpara fushatën.
Qytetarët e takuar sot u njohën me idetë tona dhe zotimin për ta qeverisur qytetin mbi themelet e një plani të ri urbanistik, një modeli të zhvillimit të qëndrueshëm, ndershmërisë dhe kompetencës në administrim dhe nxitjes së pjesëmarrjes qytetare në vendimmarrjen lokale.
Pak ditë na ndajnë nga 14 maji vendimtar.
Vota për Arlind Qorin dhe Lëvizjen BASHKË është rruga për të vendosur në vend të drejtën e nëpërkëmbur për dekada të tëra”-thuhet në postimin e Lëvizjes Bashkë.