Është arrestuar në Marok autori i dyshuar i vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj, 28-vjeçari Ruben Saraiva. Shtetati portugez u ndalua pas shpalljes së tij në kërkim ndërkombëtar nga policia shqiptare.
Ai akuzohet si personi që qëlloi për vdekje Nikulajn në lokalin e tij në Shëngjin pak javë më parë dhe si pjesë e grupit prej gjashtë personash që planifikoi, organizoi e kreu vrasjen e ndodhur më 19 prill.
Të ndaluar gjithashtu janë Edmond Haxhia, i cili dyshohet si porositësi e organizatori i vrasjes si dhekatër shtetas britanikë, Harry Simson, Thomas Mithan, Steven Hunt e Harriet Bridgeman, për të cilët pritet vendimit i ekstradimit drejt Shqipërisë.
Njoftimi
“Falë informacioneve të siguruara si rezultat i punës kërkimore, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese, u bë i mundur lokalizimi dhe kapja në Marok, e autorit të dyshuar të vrasjes së shtetasit Ardian Nikulaj.
Policia marokene, pas shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Rabat, Marok, ka bërë të mundur lokalizmin në Rabat, Marok, kapjen dhe vënien në pranga, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, të shtetasit portugez R. R. S., 28 vjeç.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, me vendimin nr. 97, të datës 26.04.2023, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja për gjakmarrje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.
Policia e Shtetit në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese dhe me autoritetet marokene, po punon për të bërë të mundur ekstradimin e 28-vjeçarit, drejt Shqipërisë.
Ndërkohë, vijon intensivisht puna kërkimore në bashkëpunim të ngushtë me partnerët, për lokalizimin dhe kapjen edhe të shtetasit të fundit të shpallur në kërkim në lidhje me këtë ngjarje.
Kujtojmë se ngjarja ndodhi më 19. 04. 2023 rreth orës 13:25 në ambientet e lokal “Coral”. Ardian Nikulaj u ekzekutua në lokalin e tij.
Shkak i këtij krimi të rëndë sipas drejtorit të Policisë së Shtetit është gjakmarrja, ndërsa njoftoi se ekzekutori ishte shtetasi portugez.
Gjithashtu u raportua se Edmond Haxhia ishte porositësi dhe financuesi i gjithë operacionit të vrasjes së biznesmenit, ndërsa shtetasit britanikë Harry Simson, Thomas Mithan, Steven Hunt dhe Harriet Bridgeman, ndihmuan për të kryer vrasjen.”