Vendosni fjalën kyçe....

Qeveria shqiptare do blejë 15% të aksioneve në Bursën ALSE


Qeveria shqiptare do të blejë 15% të aksioneve në Bursën Shqiptare të Titujve ALSE.

Sipas burimeve nga tregu, marrëveshja është dakordësuar në parim mes palëve dhe kontrata pritet të nënshkruhet gjatë muajve në vazhdim.

Një mundësi e tillë është parashikuar edhe në dokumentin politik “Për krijimin e një mjedisi mundësues për zhvillimin e tregjeve të kapitalit në shqipëri, 2023–2027”.

Sipas dokumentit, është shumë e rëndësishme që në kuadër të rritjes së besueshmërisë të tregut, por edhe të kërkesave për anëtarësim në bursë, të cilat deri tani janë tepër të kufizuara, të shikohet mundësia për t’u përfshirë edhe shteti si aksionar në Bursë.

Hyrja e qeverisë shqiptare, nëpërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, si aksionar në Bursë do të jetë edhe veprimi i parë konkret në mbështetje të dokumentit të mësipërm.

Aktualisht, aksionerë të Bursës ALSE janë Banka Credins dhe Banka Amerikane e Investimeve me nga 45.59% të aksioneve dhe institucioni financiar AK Invest, me 8.82% të aksioneve.

Hyrja në strukturën aksionare të ALSE përfaqëson rikthimin e qeverisë shqiptare si aksionere në një bursë titujsh, pas përvojës së pasuksesshme me Bursën e Tiranës.

Një vit më parë, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) çregjistroi përfundimisht Bursën e Tiranës nga regjistri i subjekteve financiare të licencuara, sipas kërkesës të paraqitur nga aksionari i vetëm, Ministria e Financave dhe Ekonomisë.

Ky akt mbylli edhe zyrtarisht ekzistencën e të parës bursë në Shqipëri, që nuk arriti të bëhej asnjëherë një treg titujsh funksional.

Bursa e Tiranës mori licencën si treg titujsh nga AMF në vitin 2013, ndërsa e ndërpreu aktivitetin qysh në vitin 2014, rreth tetë vjet para se të çregjistrohej përfundimisht.

Përgjatë 11 viteve të ekzistencës, Bursa e Tiranës e përqendroi aktivitetin e saj të pakët kryesisht në drejtim të edukimit, promovimit dhe trajnimeve lidhur me instrumentet e tregut të kapitalit.

Por, ajo nuk arriti asnjëherë të ushtronte funksionin e saj bazë, atë të tregut të instrumenteve financiarë.

Megjithatë, tashmë qeveria shqiptare ka vendosur të investojë sërish në Bursë, këtë herë si aksionere pakice, në partneritet me subjekte private. Ky vendim vjen në kuadër të dokumentit të sapomiratuar politik, që synon të krijojë një mjedis më të favorshëm për funksionimit e tregut të kapitalit në Shqipëri.

Hapi i ardhshëm në mbështetje të dokumentit politik për zhvillimin e tregjeve të kapitalit mund të jetë bashkimi i Qendrës së Regjistrimit të Aksioneve (QRA) me Depozitarin ALREG, me qëllim krijimin e një Depozitari Qendror.

Objektiva të tjera të përcaktuara në dokument janë edhe emetimi i obligacioneve të kompanive me kapital shtetëror, si edhe realizimi i privatizimit të kompanive me kapital shtetëror, përmes realizimit të ofertave publike./E.Shehu

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor