Ish-kryeministri Sali Berisha komunikim për mediat, e ka quajtur si skandaloze dhe si ndërhyrje mbështetjen e kryeminstrit Rama në fushatën elektorale të Turqisë për presidentin Erdogan.
Berisha e cilësoi Ramën si armik të votës së lirë, prandaj ish kryeministri iu bën thirrje komunitetit shqiptar në Turqi të mos e dëgjojnë atë, por të votojnë për një Turqi ashtu si e ëndërrojnë ata të jetë.
“Jam sot për të denoncuar ndërhyrjen skandaloze të Edi Ramës në fushatën elektorale të vendit mik, Turqisë me një mesazh të gjatë që synon t’i adresohet komunitetit të gjerë shqiptar, në republikën e Turqisë. Edi Rama, një armik i votës së lirë, në shkelje flagrante të ligjeve të vendit dhe atyre ndërkombëtare, u kërkon shqiptarëve, qytetarëve turk të votojnë më 14 maj për presidentin aktual, në largim të Republikës së Turqisë. Duke dënuar këtë ndërhyrje të pafalshme të palejueshme të një njeriu që nuk respekton asnjë ligj, u rikujtoj komunitetit se njeriu që u bëri thirrje nga Tirana se për kë duhet të votoni është një armik i vërtetë i lirie të qytetarëve shqiptar. Edi Rama dhe administrata e tij kanë vjedhur dhe përvetësuar nga taksat e qytetarëve shqiptarë, jo qindra, por miliarda euro. Kanë vjedhur pasuritë publike.”, tha Berisha, duke shtuar: ” Ju bëj thirrje të flakni me neveri mesazhin e Edi Ramës që iu drejtohet ju se për këtë duhet të votoni. Në emër të PD, në respekt të ligjeve, thirrja ime për çdo qytetar turk me origjinë shqiptare është të votojë për një Turqi të ëndrrës së tij dhe të mos ndikohet nga asnjë thirrje e një njeriu që ka përqendruar çdo pushtet në duart e tij”.