Vendosni fjalën kyçe....

Vendi evropian mund të pranojë Bitcoin për pagesat


Qeveria e Lihtenshtajnit po shqyrton pranimin e Bitcoin si pagesë për shërbimet shtetërore, i tha Handelsblatt të dielën kryeministri i mikroshtetit Daniel Risch. Risch, i cili është gjithashtu ministër i Financave tha se një ‘mundësi pagese me Bitcoin po vjen’.

Zyrtari nuk specifikoi se cilat shërbime të veçanta do bëhen të disponueshme për pagesë në monedhën dixhitale, ose kur do vihej në dispozicion mënyra e shpallur e pagesës.

Çdo kripto e marrë do këmbehet menjëherë me franga zvicerane, monedhën kombëtare të Lihtenshtajnit, tha Risch.

Megjithëse kriptoja është shumë e paqëndrueshme për t’ia besuar pjesë të kursimeve vjetore shumë miliarda dollarëshe të vendit, ky vlerësim mund të ndryshojë, shtoi ai. Bitcoin-it, sidoqoftë, nuk do i jepet i njëjti status ligjor si franga.

Lihtenshtajni është një mikroshtet gjermanishtfolës i vendosur në Alpe midis Austrisë dhe Zvicrës. Është kombi i gjashtë më i vogël në botë, me një popullsi prej nën 39,000 njerëz. Në vitin 2019, principata u bë një nga vendet e para në botë që miratoi rregullore të dedikuara për kripto me Aktin e Blockchain të Lihtenshtajnit.

Vetëm dy vende në botë kanë miratuar aktualisht Bitcoin-in si mjet ligjor – El Salvador dhe Republika e Afrikës Qendrore. Megjithatë, muajin e kaluar u raportua se vendi afrikan e ka anuluar këtë vendim.

Nuk ka ende ligje ndërkombëtare uniforme që rregullojnë kriptovalutat, të cilat janë të njohura për paqëndrueshmërinë e tyre të lartë. Kriptoja më e njohur, Bitcoin, vlente shumë pak kur u nis në vitin 2009 dhe arriti në gati 69,000 dollarë për monedhë në nëntor 2021.