Kandidati i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ për Durrësin, Igli Cara, vijoi sot takimet me qytetarët e Durrësit, Shijakut e Sukthit.
Ai prezantoi pikat e programit ndërsa theksoi se vendimet e rëndësishme për qytetin do merren nga vetë qytetarët me referendum.
Kandidati i opozitës ftoi qytetarët të dalin masivisht në votime më 14 maj për të sjellë ndryshimin, për të shpëtuar qytetin e për të çliruar bashkinë e uzurpuar nga dyshja Vangjush Dako-Emiriana Sako.
“Ne ia dolëm së bashku të bëjmë një fushatë model e të mbanim gjallë opozitarizmin në Durrës, përballë makinacioneve të mazhorancës. Ne ia dolëm që ëndrrat e shpresën për Durrësin e së nesërmes ta planifikonim së bashku. Ia dolëm të bëjmë mbarë demokratët dhe për këtë Durrësi është model. Sepse Durrësi jemi ne. Bashkë kemi bindjen që ndryshimi i madh më 14 maj do nisë nga vota juaj. Bashkë kemi bindjen se do kthejmë bashkinë e uzurpuar nga grupi Dako-Sako tek qytetarët. Do marrim me referendum të gjithë vendimet e rëndësishme për qytetarëve duke i dhënë fund arrogancës së piktorit dhe klientelizmit të betonit, shkatërrimit të mëtejshëm të qytetit, përçudnimit të vijës bregdetare përmes velierës dhe projektit Rama-Dako-Sako të shkatërrimit të Portit nën etiketën ‘Dubai-Alabbar’.” – tha Cara.