Vendosni fjalën kyçe....

Kongresmeni amerikan George Santos arrestohet nën akuzat për mashtrim dhe pastrim parash


Ligjvënësi republikan George Santos u arrestua të mërkurën nën akuzat federale për mashtrim, pastrim parash dhe vjedhje të fondeve publike. Ligjvënësi Sanot u ka rezistuar thirrjeve për të dhënë dorëheqjen për gënjeshtra në rezymenë e tij.

Aktakuza me 13 pika, e publikuar të mërkurën, akuzon 34 vjeçarin Santos për mashtrimin të mbështetësve të mundshëm politikë duke pastruar fonde për të paguar shpenzimet e tij personale dhe duke marrë në mënyrë të paligjshme përfitime papunësie ndërsa ai ishte i punësuar.

Ai akuzohet gjithashtu se ka bërë deklarata të rreme në Dhomën e Përfaqësuesve për pasuritë, të ardhurat dhe borxhet e tij.

“Të marra së bashku, akuzat e ngarkojnë zotin Santos se u mbështet në pandershmëri dhe mashtrime të përsëritura për t’u bërë anëtarë i Kongresit dhe për t’u pasuruar”, tha në një deklaratë Breon Peace, Prokuror i Distriktit Lindor të Nju Jorkut.

“Ai përdori kontribute financiare politike për të mbushur xhepat e tij, aplikoi në mënyrë të paligjshme për përfitimet e papunësisë që duhej t’u shkonin njujorkezëve që kishin humbur punën për shkak të pandemisë dhe gënjeu Dhomën e Përfaqësuesve”, tha prokurori Peace.

Zyra e ligjvënësit Santos ia referoi kërkesat për koment avokatit të tij. Avokati i zotit Santos nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave për koment në lidhje me aktakuzën.

Ligjvënësit republikanë, të cilët kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve me një epërsi të ngushtë 222-213, kanë thënë deri më tani se do të nuk do bëjnë komente për zotin Santos. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy u tha gazetarëve të mërkurën: “Në Amerikë, ju jeni i pafajshëm derisa të provohet faji”.

Menjëherë pas zgjedhjes së ligjvënësit Santos në vitin 2022 për të përfaqësuar një zonë të pasur në Long Island të Nju Jorkut, gazeta Nju Jork Tajms dhe media të tjera zbuluan se ai kishte sajuar pothuajse çdo aspekt të historisë së tij personale dhe profesionale.

Ndër pretendimet e tjera, zoti Santos tha se ai kishte diploma nga Universiteti i Nju Jorkut dhe Kolegji Baruch, pavarësisht se asnjë institucion nuk kishte të dhëna se ai ishte regjistruar si student. Ai pretendoi se kishte punuar në kompanitë Goldman Sachs dhe Citigroup, gjë që gjithashtu ishte e pavërtetë.

Ai ka deklaruar në mënyrë të rreme se ishte hebre dhe se gjyshërit e tij u shpëtuan nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Santos, i cili identifikohet si homoseksual, gjithashtu fshehu faktin se ishte i martuar me një grua për disa vite duke e përfunduar martesën në 2019.

Që atëherë ai ka pranuar se ka sajuar pjesë të mëdha të biografisë së tij./ VOA.