Kryeministri Rama e quajti klloun kandidatin e koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ për Tiranën Belind Këlliçi.
Ai ishte i ftuar në emisionin ‘Now’ të gazetares Erla Mëhilli në Euronës.al ku tha se synimi i koalicionit Berisha-Meta është ta kthejnë bashkinë në një kështjellë të luftës me qeverinë.
Një tjetër maskë e faqes së zezë. Maskë edhe një kloun fare. Nuk është normale që kandidatët të jenë kloun, por t’i quash ashtu siç janë është e domosdoshme. Si i shikoj unë gjërat, ai është një kloun. Ata janë kloun të gjithë sepse janë në një rol, i cili u është dhënë për të bërë sikur po kërkojnë të përmirësojnë jetën e komuniteteve kur në fakt roli i tyre është të kapin çfarë të munden dhe pastaj në momentin që futen në një bashki, ta kthejnë bashkinë në një kështjellë të luftës me regjimin.” – tha Rama.
I pyetur nga Mëhilli nëse Veliaj do jetë pasardhësi i tij në krye të PS-së ai tha se nuk i takon atij kjo gjë dhe se ajo do vendoset kur të lindë nevojë për drejtues të ri.
“Nuk është kjo tema që më ka interesuar ndonjëherë. Më thonë shumë njerëz po pasardhësi? Unë mendoj se kjo nuk është detyra ime, kjo do jetë detyra e atyre që do kenë nevojë për një lider tjetër kur unë të mos jem më aty. Do ta zgjedhin ata që do duan të vazhdojnë dhe do zgjedhin liderin. Nuk do e zgjedh unë. Nuk jemi akoma aty. Unë do jem një anëtar i thjeshtë i Partisë Socialiste dhe do marr pjesë në votim, por se kush do jetë lideri ynë pas meje, këtë gjë do e vendosim kur të kemi nevojë për një lider tjetër.