Vendosni fjalën kyçe....

Shkon në 400 numri i viktimave nga përmbytjet në Kongo


Të paktën 410 njerëz janë konfirmuar të vdekur dhe më shumë se 5,000 të tjerë mbeten të pagjetur pas përmbytjeve dhe katastrofës së rrëshqitjes së dheut që goditi provincën Kivu Jugore të Republikës Demokratike të Kongos javën e kaluar, raportoi Associated Press të mërkurën.

Përmbytjet, të cilat filluan si shi i rrëmbyeshëm nga 4 deri më 5 maj, thuhet se përfshinë fshatrat buzë lumit Nyamukubi dhe Bushushu, duke ‘fshirë’ ndërtesat së bashku me fushat me të mbjella dhe bagëti, duke lënë mijëra njerëz të pastrehë.

Ulrich Crepin Namfeibona, koordinatori i urgjencës për Médecins Sans Frontières (MSF) në Kivunë e Jugut, e përshkroi situatën si ‘të tmerrshme’.

“Në Nyamukubi, pothuajse gjysma e fshatit u shkatërrua. Për shkak të dëmeve nga përmbytjet, rruga kryesore midis Nyamukubi dhe Kalehe nuk mund të përdoret më, duke penguar mbërritjen e ndihmave humanitare,” tha Namfeibona.

Autoritetet lokale i thanë mediave të martën se numri i të vdekurve është ende në rritje ndërsa përpjekjet për shpëtimin e banorëve dhe gjetjen e trupave vazhdojnë.