Ish-kryeministri Berisha pohoi mbrëmjen e sotme se i kishte kërkuar ish-kreut të PD-së Basha që të largohej në vitin 2017, ndërsa theksoi se u rikthye në krye të partisë për shkak se po shkelmohej sovraniteti i vendit.
Ai ishte i ftuar në emisionin ‘Top Story’ të Grida Dumës ku rikujtoi garën për kreun e PD-së mes Bashë se Olldashit duke pohuar se të dy ishin ofruar vetë për këtë gjë dhe se ai nuk e kishte mbështetur Bashën në nismën për të drejtuar partinë.
“Lul Basha nuk mund të vazhdonte më kryetar por kjo ishte çështje tjetër. Në 2011 unë kam bërë përpjekjet e mia për të fituar në të gjithë Shqipërinë por bashkia e Tiranës u mor nga koalicioni. Basha nuk ka qenë i përzgjedhuri im. Bashën nuk e kam mbështetur në iniciativë për të drejtuar PD-në, është ofruar vetë për të kandiduar, jo nga unë. Olldashi është ofruar vetë, çdonjëri që të më vinte nga nënkryetarët do i thoja mirëseerdhe. Në vitin 2017 unë i kërkova largimin atij. Unë mbroja Partinë Demokratike. Vetë jam rikthyer kur pashë që po shkelmohej sovraniteti i vendit tim. Ka qenë një forcë shumë madhore që ka të bëjë me të drejtën e shqiptarëve për të vendosur kush duhet te jetë në parlamentin shqiptar. Këtu kam mbështetje nga shqiptarët dhe amerikanët që vlerësojnë sovranitetin e paprekshëm.” – tha Berisha.