Vendosni fjalën kyçe....

“Na duhet më shumë kohë para kundërsulmit” – Zelensky


Trupat ukrainase janë ‘gati’ për të nisur një kundërofensivë të paralajmëruar prej kohësh kundër Rusisë, por kanë nevojë ende për më shumë kohë dhe pajisje përpara se kushtet të jenë optimale, ka thënë presidenti Vladimir Zelensky për mediat perëndimore.

“Do të humbnim shumë njerëz”, tha Zelensky në lidhje me pasojat e mundshme të nisjes së operacionit menjëherë.

“Mendoj se kjo është e papranueshme. Kështu që duhet të presim. Na duhet ende pak më shumë kohë.”

Udhëheqësi ukrainas po fliste me gazetarët e rrjetit të lajmeve Eurovision, dhe u citua të enjten nga BBC.

Zelensky vuri në dukje se për këtë duhen më shumë automjete të blinduara dhe këmbënguli se qeveria e tij ishte e etur të përdorte armët e ofruara nga mbështetësit e saj perëndimorë dhe pretendoi se Rusia dëshiron të ngrijë konfliktin.

Në fillim të kësaj jave, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken vlerësoi përpjekjet e Uashingtonit dhe aleatëve të tij për të përgatitur Kievin për veprime ushtarake, duke i përshkruar ato si ‘shumë produktive’. Ukraina ka marrë armë, mirëmbajtje, stërvitjen e trupave dhe ‘planet e duhura’, u tha zyrtari amerikan gazetarëve.