Vendosni fjalën kyçe....

Nga Bostoni në Përmet, si i ndryshuan jetën një nëne të pastrehë shqiptarët e Amerikës


“Antuela duhet të ikësh urgjent nga këtu, nuk e di se si për momentin, por do ta gjejmë një zgjidhje”.

Me këtë fjali filloi një fushatë e tërë bamirësie që përfundoi me transformimin total të jetës së një nëne të vetme e të braktisur bashkë me dy fëmijët e saj në Përmet.

“Antuelën e njoha nga një intervistë telefonike rreth dy vjet më parë. Sapo kish nisur punë në një fasoneri dhe mezi ushqente dy fëmijët e saj” – tregon gazetarja Erjona Rusi, një prej nismëtareve të kësaj fushate. Pas bisedës në telefon, Rusi shkoi ta takonte nga afër Antuelën në qytetin e Përmetit ku ajo jetonte në një dhomë konvikti bashkë me dy fëmijët e saj, 8 dhe 10 vjeç.

Antuela Zylfo, ishte martuar shumë e re, ndërsa prindërit nuk e lanë të vazhdonte shkollën. Pa arsim e profesion, ajo u gjend mes 4 rrugëve me dy fëmijë të mitur kur u nda nga ish bashkëshorti dhunues. Me shumë mund arrinte të siguronte ndonjë rrogë sa për mbijetesë duke punuar si pastruese e më pas në një fasoneri. 

“Kur pashë dhomën e konviktit ku jetonte, sinqerisht mu drodh shpirti, ishte pak të thuash mesjetë. Pa kuzhinë, pa banjo, myku kishte mbuluar muret dhe fëmijët, siç më tha vetë Antuela ishin sëmurë disa herë nga lagështira. Nuk kisha një zgjdhje në ato momente, por isha e bindur që ata fëmijë s’mund të jetonin aty”.

Gazetarja bëri një telefonatë përtej oqeanit, për ti kërkuar ndihmë Albana Qinamit, një juriste e cila jeton prej vitesh në Boston e angazhuar në disa kauza sociale në Shqipëri.

Në foto: Albana Qinami

“Albanën e kisha njohur nga një fushatë e më parshme e “Gocave të Bostonit” . Nuk e kisha takuar kurrë por vura re një angazhim dhe dashamirësi të pashoqe. Ajo u tregua shumë e gatshme për ta ndihmuar Antuelën dhe gjëja e parë që bëmë ishte ta hiqnim nga ajo dhomë e tmerrshme dhe të gjente një shtëpi me qera. Natyrisht pagesën e qerasë e mori përsipër Albana, unë apo edhe gra të tjera të grupit “Gocat e Bostonit”.

“Fëmijët e Antuelës kanë sy të bukur dhe shumë të pafajshëm. Imazhi i tyre më goditi fort e për një kohë të gjatë nuk mund ti hiqja nga mendja. Kur pashë fotografitë e dhomës ku jetonin, u trondita aq shumë sa menjëherë vendosa të bëja diçka për ta ndihmuar Antuelen. Asnjë fëmijë nuk meriton të jetojë në atë varfëri” – thotë Albana Qinami, e cila u prek fort nga kjo histori, edhe pse duke qënë mijëra km larg.

Brenda pak ditësh bashkë me një grup miqsh, kryesisht shqiptarë që jetojnë në SHBA, Qinami hapi një faqe në Gofundme për të mbledhur para për këtë familje. E kështu nisi një fushatë e jashtëzakonshme përmes rrjeteve sociale ku me dhjetra individë apo grupime, kryesisht në SHBA bënin thirrje për ta ndihmuar këtë nënë të vetme.

Nuk kaloi viti dhe grupi arriti të mbledhë 20 mijë dollarë nga 250 donatorë nga e gjithë bota, ndërsa më në fund u gjet një apartament që kushtonte 23 milion lekë të vjetra. Kështu në janar të këtij viti, Antuela Zylfo dhe dy fëmijët e saj u bënë zyrtarisht pronarët e një apartamenti prej 70 metrash katrorë, tashmë edhe të mobiluar plotësisht falë kontributit të një kompanie private. Dhe në prill, Antuela inaguroi më në fund shtëpinë e saj të re bashkë me dy fëmijët.

Mes lotësh dhe shumë e emocionuar, Antuela i falenderoi të gjithë ata që e ndihmuan, ndërsa tregonte për vështirësitë që kishte kaluar, gjatë programit “Shqipëria Live” pak ditë më parë.

 “U përpoqa të vendosja veten në vendin e Antuelës. Si do të ndihesha unë nëse do të kërkoja ndihmë, e askush nuk do të ma jepte një dorë. Antuela dhe dy fëmijët e saj të vegjël e meritonin më shumë se kushdo të mos ndiheshin të braktisur. Ne fund, besoj se e kam shpenzuar jetën time ashtu siç duhet nëse qoftë edhe një njeri i vetëm thotë: Ajo ma hapi zemrën dhe u tregua e drejtë me mua” – përfundon Qinami.