Vendosni fjalën kyçe....

PS mbyll fushatën në Tiranë, Veliaj: Fuqia jonë transformuese e ka ndryshuar kryeqytetin cep më cep


Kryebashiaku Veliaj mbylli fushatën zgjedhore në Tiranë në një takim të mbajtur në Parku Olimpik.

Ai theksoi se punët dhe projektet e realizuara, pavarësisht pengesave e skepticizmit, janë kthyer në një vlerë të shtuar për kryeqytetin.

“Sot fuqia jonë transformuese e ka ndryshuar Tiranën cep më cep. Sot Tirana ka 40 shkolla të reja, nga më të bukurat në rajon, sot Tirana ka çerdhe dhe kopshte për t’u pasur zili, sot Tirana ka transformuar hapësirat publike. Thoshin ‘mos ma prek sheshin, mos m’i prek lodrat, mos ma prek pazarin, mos ma prek kalanë, mos ma prek Astirin, mos ma prek Bulevardin’, por, çdo punë që prek Partia Socialiste kthehet në një vlerë për qytetin tonë dhe kthehet në një hapësirë ku të gjithë si të barabartë, ku të gjithë me aspiratat dhe ëndrrat tona i realizojmë në Tiranë,” – u shpreh Veliaj.

Ai shtoi më tej se PS-ja zgjodhi të mbjellë pemë aty ku më parë mbillej përçarje,  duke bashkuar njerëzit e duke zhvilluar qytetin teksa vlerësoi punën e bërë pas  tërmetit të 26 nëntorit 2019 e pandeminë e koronavirusit.

“Në këtë fushatë ku Edi Rama dhe Partia Socialiste vendosën që të mbjellin pemë aty ku mbillej përçarje, vendosën të bashkonin njerëzit, aty ku fushata i ndante, vendosën që ta çojnë Tiranën dhe Shqipërinë përpara, vetëm përpara. Në 2019 kishte shumë njerëz që thanë: Ky është një mandat i lehtë. Nuk pati një garë të vërtetë dhe në 2019, edhe ne menduam që ishte një betejë e lehtë. Nuk e mendonim kurrë që do të vinte një tërmet katastrofik, nuk e mendonim kurrë që do vinte një pandemi që i ndodh botës një herë në 100 vjet, por gjithashtu nuk e mendonim kurrë që me Edin dhe Partinë Socialiste do ngriheshim më të fortë e më të bashkuar se kurrë.” – shtoi Veliaj.