Partia Socialiste ka mbyllur mbrëmjen e sotme fushatën në Tiranë për zgjedhjet e 14majit.
Kryeministri Rama tha gjatë fjalës përmbyllëse se PS-ja vjen në këtë fushatë me një pasqyrë punësh e projektesh të realizuara.
Kreu i qeverisë theksoi përballimin e pasojave të tërmetit të 26 nëntori 2019, krizën energjetike, pandeminë e koronavirusit e pasojat e luftës në Ukrainë.
“Ka qenë një përpjekje e jashtëzakonshme. Ju e dini nga ku ka nisur kjo përpjekje, e çfarë hendeku e ndante Tiranën nga e ardhmja. Sot Tirana ka shumë rrugë për të bërë. Më vjen mirë që në këtë fushatë, nga të gjitha fushatat që mbaj mend, e kemi pasur jo më të lehtë, por kemi patur pasqyrën kuptimplotë të punëve kudo që kemi shkuar. Veprat konkrete, ndryshimet e prekshme, mundësitë e reja që janë krijuar. Na kanë ndihmuar që fjalët të mos jenë siç ishin në fillim, por të mbështetura në realitetin e jetës së përditshme. Nuk është e lehtë për askënd, por ama ka filluar të bëhet gjithnjë e më një jetë ku njerëzit përtej vështirësive shohin shpresë, shohin mundësi. Kriza e energjisë, emigracioni, tërmeti, pandemia, lufta në Ukrainë, sot kemi hyrë në ciklin njëvjeçar të rritjes më të lartë historike të pagave. Kemi hyrë në procesin e përmbushjes së një ambicie që ka qenë e kahershme, njëkohësisht ishte tortura jonë e brendshme për ta bërë Shqipërinë vendin ku pagat janë në nivelin më të lartë të rajonit, bashkë me vendet më të zhvilluara të rajonit, ku paga mesatare nga 530 euro në 900 euro prillin e ardhshëm.” – tha Rama.
Kryeministri shtoi se nën drejtimin e PS-së, Tirana është kthyer në një destinacion i parapëlqyer turistik, që ka çuar në rritjen ekonomike e të të ardhurave për qytetarët.
“Tirana s’ka qenë asnjëherë një destinacion turistik. Asnjëherë vendi ku nëpër faqet e revistave, websitet e revistave të specializuara të gjeje Tiranën destinacion turistikë, sot është motor thithës për turistët, kjo përkthehet në ekonomi, të ardhura. Ka një element të rëndësishëm, që kush bënë kritika në hava. Nuk janë hotelet, por apartamentet, por janë mijëra e mijëra apartamente që shërbejnë për të mikëpritur turistë dhe familjet që i kanë ato apartamente fitojnë të ardhura që nuk i kishin imagjinuar, apo nga një dhomë që e vënë në dispozicion. Tirana nuk është më ajo që kam drejtuar unë.
Është shumë më e madhe. Nuk është më vetëm qyteti i rrethuar nga komunat në vijën e vjetër të tij. Mbaronte te Astiri, Kinostudio, mbaronte aty ky sot mbaronte Bulevardi i Ri, pas kësaj ku jemi sot s’ishte Tirana, por farka. Sot shtrihet deri në Ndroq, deri në Zallbastar, deri lart në Dajt. E gjithë kjo në dispozicion të një rritje ekonomike, të jeni të bindur, do jetë shumë më e madhe për banorët e një qytetit. Qoftë për atë që jetojnë në qendër, qoftë për ne katunarët që jetojmë në periferi.” – tha Rama.