Një 39-vjeçar turk është arrestuar nga policia e Gjirokastrës për trafikim të klandestinëve.
Shtetasi E. P u kap në flagrancë duke transportuar me automjet, në drejtim të Shkodrës, 5 emigrantë që do të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme.
“Ky shtetas është kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në Memaliaj, duke transportuar kundrejt pagesës, me automjetin tip “Peugeot”, në drejtim të Shkodrës, 5 emigrantë nga Bangladeshi, të cilët do të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme”.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti “Peugeot”, 1 aparat celular dhe një shumë parash.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”.