Fredi Beleri, kandidati i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ në HImarë dhe tre persona të tjerë janë arrestuar mesnatën e mbrëmshme.
Ata janë ndaluar para lokalit të Belerit ndërsa dyshohen për blerje votash.
Gjatë arrestimit të tyre kanë marrë pjesë forca të shumta policie ndërsa ndalimi i tyre është bërë me urdhër të SPAK-ut.
Njëri nga të arrestuarit është ndjerë keq gjatë ndalimit e është dërguar në spital. Ndërkohë Athina zyrtare ka reaguar pas ndalimit të Belerit.
Ambasadorja greke në Tiranë Konstantina Kamitsi, pritet të zhvillojë një takim në Ministrin e Jashtme të Shqipërisë.
“Pas lajmit për arrestimin nga autoritetet shqiptare të Dionisis-Fredi Beleris, kandidat për Kryetar Bashkie në Bashkinë Himarë në KEAD, ambasadorja e Greqisë në Tiranë, Konstantina Kamitsi, pas udhëzimeve të ministrit të Jashtëm, Nikos Dendias, po zhvillon një vizitë sot, më 12 maj në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë.” – thuhet në reagim.
Në mjediset e komisariatit të Himarës ka qenë mbrëmë edhe kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, i cili ka deklaruar se ndalimi i Belerit është sulm i pastër politik dhe i orkestruar nga kryeministri Rama.
Ndërkohë dega e Rithemelimit në Himarë e ka quajtur ndalimin e Belerit veprim të shtetit policor ndërsa ka dënuar atë që e ka quajtur gjuhë urrejtjeje e denigrimi të përdorur ng kryeministri Rama e zyrtarë të tjerë të qeverisë. Dega i bën thirrje Ambasadës Amerikane e përfaqësive të tjera diplomatike të kthejnë vëmendjen nga procesi zgjedhor i 14 majit.
“Shteti policor dhe pushteti vendor që ndjen humbjen e thelle pas 2 ditësh, dje ne darkë pas mesnate në qendër të Himarës efektivë civil të urdhëruar me direktiva të sakta, shoqërojnë me forcë kandidatin e Koalicionit Bashkë Fitojmë z. Fredi Beleri dhe stafin e tij. Gjuha e urrejtjes dhe denigrimit që ka më shumë se një javë që përdoret nga pushteti, po trazon qetësinë dhe harmoninë e qytetarëve të Himarës, duke krijuar skenarë imagjinar me qëllim përçarjen e komunitetit duke luajtur kartat e nacionalizmit. Sot nuk po flasim për Fredi Belerin sot po flasim për të gjithë ne, në vend të tij mund të ishte kushdo qoftë. Arrestimi në mesnatë i një kandidati për Kryetar Bashkie, dy ditë para ditës së zgjedhjeve dhe mbas kaq ditësh presioni mbi nivel politik, ngrë shumë pikëpyetje mbi bazën dhe arsyen e arrestimit.!
Ju bej thirrje gjithë instancave përkatëse shtetërore, partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe në vecanti, Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës të kthejnë vëmendje makximale në procesin zgjedhor dhe mbarëvajtjen e tij, si dhe rrezikimin e minimit të demokracisë! U bëj thirje cdo qytetari te gjithë Himarës dhe fshatrave të saj, brënda dhe jashtë vëndit të vijnë të Dielën dhe të përmbushin detyrën e tyre qytetare duke VOTUAR Kandidatin tonë Φρέντης Μπελέρης – Fredi Beleris dhe kolacionin për Këshillin Bashkiak, Bashkë Fitojmë NR.1. Dita e zgjedhjeve është ditë feste për demokracinë, dhe është turp për kedo që për hir të pushtetit dhe karriges, të dojë të shkaktojë ankth dhe terror te qytetarët! Ju mirëpres te gjithëve ne mitingun përmbyllës te fitores së madhe, sot ne shëtitoren e Himarës në orën 18:30! Më të bashkuar se kurrë”, thuhet në reagim.
Dule akuza Ramës pas arrestimit të Belerit: Sulm politik i orkestruar nga Edi Rama, të lirohet menjëherë
Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, e quajti sulm politik, arrestimin e Fredi Belerit, kandidatit të koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ për Himarën.
Ai ishte i pranishëm para Komisariatit të Himarës pas arrestimit të këtij të fundit dhe tre personave të tjerë, anëtarë të stafit të tij elektoral.
Dule theksoi se ngjarja është e orkestruar enkas nga kryeministri Rama për të penguar procesin elektoral në Himarë. Ai bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm të Belerit.
“Pas një jave deliriumi gjuhë urrejtjeje, përçarjeje dhe stigmatizimi nga ana e kryeministrit Rama kundër kandidati të koalicionit në Himarë zoti Bejleri me urdhër e porosi të tij forca policore rrëmbyen në qendër të qytetit dhe shoqëruan për në komisariatin e Vlorës, zotin Bejleri dhe avokatin e tij. Është një akt i parecedentë dhe i pashpjegueshëm. Është një fenomen që ka lidhje me regjimet totalitar. Thirrja jonë është lirimi i zotit Bejleri dhe garantimi i procesit zgjedhor dhe heqja dorë njëherë e mirë nga intimidimi i qytetarëve dhe përpjekja për të tjetërsuar vullnetin e sovranit. Kemi paralajmëruar me deklaratën tonë të pardjeshme dhe dëshirojmë sot t’u drejtohemi mediave edhe sot që të jenë të pranishme, që të kenë një proces transparent, një proces i cili do të respektojë vullnetin e sovranit, u drejtohemi përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar për monitorim të qendrave të votimit dhe KZAZ Himarë, se vetëm kështu do t’iu priten shanset kryeministrit Rama, i cili ka vënë objektiv strategjik në shërbim të interesave klienteliste në dëm të pronave të Himarës, me qëllim që të garantohet procesi dhe shmangia me çdo kusht manipulimit të tentuar nga Rama. Zoti Bejleri duhet të lirohet menjëherë dhe të vazhdojë aktivitetin e tij si kandidatët e tjerë dhe të kurorëzojë fitoren që është e dukshme dhe e prekshme në çdo familjeje komunitet të bashkisë Himarë.” – tha Dule për mediat.
Ai shkruan se shkelja e ligjit nga ana e Belerit duhet të jetë e provuar dhe ndalimi i tij ligjërisht i motivuar.
Kryeministri shkruan gjithashtu se bejeta në zgjedhjet vendore me Belerin nuk ka asnjë lidhje me hetimet apo përfundimet e prokurorisë ndërsa bën thirrje për mosnxitim në përfundime politike e pritje të provave të drejtësisë.
“Ndalimi i kandidatit të opozitës për Himarën F.Beleri me urdhër të prokurorisë përbën një sprovë të madhe për drejtësinë në vigjilje të zgjedhjeve, që do të thotë se shkelja e ligjit nga ana e tij duhet të jetë e provuar dhe ndalimi i tij ligjërisht i motivuar! Beteja jonë me atë kandidat nuk ka asnjë lidhje me hetimet apo përfundimet e prokurorisë, prandaj duke respektuar pavarësinë e plotë të organeve të drejtësisë, i bëj thirrje të gjithëve të mos nxitohen me konkluzione politike po të presin me durim fjalën dhe provat drejtësisë.” – shkruan Rama.
Në një deklaratë për median greke ai tha se qeveria greke është pranë minoritarëve grekë të Shqipërisë ndërsa theksoi se po situata po mbikëqyret teksa po merren të gjitha hapat e duhura diplomatike.
“Jemi pranë minoritarëve grekë të Shqipërisë. Arrestimi i kandidatit për kryetar të Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri, është i papranueshëm. Kemi hedhur menjëherë të gjitha hapat e duhura rrugën diplomatike dhe po monitorojmë çështjen. Jemi me minoritetin grek të Shqipërisë.” – tha Varviciotis në një intervistë për radion SKAI.
Meta dënon ashpër arrestimin e Belerit: U rrëmbye në nëmyrë mafioze, Rama e regjimi i tij po japin shpirt, votoni masivisht
Kreu i Partisë së Lirisë Meta ka dënuar ashpër arrestimin e kandidatit të koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’, Fredi Beleri.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që të dalin të votojnë masivisht ndërsa tehskoi se kryeministri Rama e regjimi i tij po japin shpirt e janë të tmerruar nga vota e lirë.
Meta tha gjithashtu se SPAK-u që nuk vepron për dhjetëra denoncimeve ndaj kryebashkiakëve socialistë, ka rrëmbyer në mesnatë në mënyrë mafioze kandidatin e opozitës Beleri.
“Pjesëmarrje, pjesëmarrje dhe vetëm pjesëmarrje! Ky ështe ilaçi ndaj një kryeministri dhe një regjimi, që po jep shpirt dhe të tmerruar nga vota e lirë. Ndërsa SPAK nuk vepron ndaj dhjetëra kryetarëve të Bashkive, që shkelin ligjin dhe vërtetohen si fajtorë, pas sulmeve të paramenduara dhe të inskenuara të kryeministrit delinkuent, rrëmbehet pas mesnate në mënyrë mafioze kandidati për kryetar i Bashkisë në Himarë. Të gjithë qytetarët dhe strukturat opozitare në Himarë të jenë në këmbë, të fuqizojnë në maksimum fushatën dhe të intensifikojnë kontaktet me zgjedhësit për të votuar masivisht dhe për t’i dhënë goditjen përfundimtare kryeministrit, grabitësit dhe shkatërruesit më të madh për qëllime mafioze të pronave në Himarë dhe gjithë bregdetit të Jugut nga Vlora deri në Ksamil.” – tha Meta.
Rama për arrestimin e Belerit: Rast delikat, nëse s’ka prova të mjaftueshme do ishte skandaloze
Kryeministri Rama tha se nëse për arrestimin e Fredi Belerit nuk ka prova të mjaftueshme, atëherë është një skandal i madh. Ai deklaroi se është befasuar lidhur me ndalimin tij me akuzat për shitblerje votash ndërsa tha se hetimi në fjalë ka nisur shumë kohë përpara se të niste polemika e tij me Belerin.
“Për hir të vërtetës unë u befasova sic u befasuat edhe ju. Ky është një zhvillim që lidhet ne hetime terësisht të pavarura, të cilin nuk kemi pasë mundësi të marrim akoma informacione, sepse prokurori do t’i drejtohet gjykatës për masën e sigurisë. Por nga ana tjetër, me sa kemi mundur të mësojmë nga policia e shtetit, bëhet fjalë për një hetim që ka filluar prej disa kohësh dhe kohë përpara se të fillonte polemika ime më këtë personazh, që u nxit nga një intervistë e tij e dhënë për mediat greke për helenizimin e Himarës. Bëhet fjalë për një hetim që ka prova dhe do jetë vërtetë një skandal nëse nuk ka prova të mjaftueshme për këtë veprim, sepse bëhet fjalë për një kandidat që është në garë. Nëse nuk ka prova që ky njeri është i përfshirë drejtpërdrejt në veprimtari kriminale, atëherë do të ishte skandaloze.” – ka deklaruar Rama.
Ai shtoi më tej se ndalimi i Belerit është temë delikate pasi bëhet fjalë për element të veçantë që lidhen me minoritetin grek në Shqipëri.
“Kjo temë është shumë delikate, fakti që ky është një kandidat që ky përfaqëson sipas tij disa ndjenja dhe elementë të vecantë që lidhen me minoritetin grek në Shqipëri. Kjo është problem, është vërtetë problem. Kjo është një veprimtari që duhet të jetë e provuar katërcipërisht se ai është i përfshirë në veprimtari kriminale që ndikon direkt në procesin zgjedhor.” – shtoi kryeministri.
“U kap në flagrancë duke premtuar e duke dhënë para me qëllim blerjen e votës” – Zbardhet urdhërarresti i Fredi Belerit
Është zbardhur urdhërarresti ndaj Fredi Belerit, i cili u ndalua në mesnatë me urdhër të SPAK-ut. Sipas dokumentit, Beleri akuzohet për ‘korrupsion aktiv në zgjedhje’ ndërsa sipas prokurorisë, i dyshuar është kapur në flagrancë duke premtuar e duke dhënë shuma monetare personave të ndryshëm me qëllim blerjen e votës. Deklarata e prokurorisw “Në Vlorë, më 12.05.2023 ora 09:45, une Orgert Thoma, Oficeri i Policisë Gjyqësore, pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, në bazë të neneve 251 dhe 255 të K. Pr. Penale, mbaj këtë procesverbal për arrestimin në flagrancë të shtetasit: Dhionisios Alfred Beleri, i biri i Petro dhe i Kasiani, i datëlindjes 09.08.1972 lindur në Himarë dhe banues në Himarë, me arsim të lartë, kombësia Greke, shtetësia Shqiptare dhe Greke, gjendja familjare i martuar, gjendja gjyqësorë dënuar me parë me 3 vjet heqje lirie për veprën vepren penale “Nxitje dhe urrejtje nacionale”, në vitin 2003, i identifikuar nga policia gjyqesore nr ID…..Arrestimi u krye si autor i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni aktiv në zgjedhje kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga neni 328 e 25 te K.Penal, që ka ndodhur në rrethanat si më poshtë: Ky shtetas është kapur në flagrancë në Himarë më datë 12.05.2023 ora 00:14 minuta, në bashkëpunim me persona të tjerë, duke premtuar dhe dhënë shuma monetare personave të ndryshëm me qëllim blerjen e votes.
Të arrestuarit në flagrancë iu bë e ditur se në bazë të nenit 255 ka të drejtë të ketë mbrojtës, se nuk ka detyrim të bejë deklarata dhe në qofte se do të flasë, çfardo që ai thotë, mund të përdoret ndaj tij në gjykim. I arrestuari deklarojë se: – Mbrojtja të bëhet nga një avokat i zgjedhur prej tij konkretisht në prani të avokat Romarjo Meminaj, me numër license 11074 nipt M17110203B, i cili është i pranishëm.
Procesverbali i arrestimit në flagrancë lexohet dhe nënshkruhet pa verejtje. Një kopje e këtij procesverbali i dërgohet prokurorit dhe i arrestuari vihet në dispozicion të tij në dhomat e paraburgimit. Me pëlqimin e të arrestuarit u njoftuan familjaret e tij.”
Arrestimi i Belerit, ministri i jashtëm Grek telefonatë me Ramën
Ministri i Jashtëm grek Dendias ka folur në telefon me kryeministrin Rama pas arrestimit mesnatën e mbrëmshme të kandidatit të koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ për Himarën, Fredi Beleri.
Mitsotakis dënon ashpër arrestimin e Belerit: Akuzat të pabazuara, të lirohet menjëherë
Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis tha të premten se kishte biseduar me Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në lidhje me ndalimin e Fredi Belerit, një kandidat i minoritetit grek që kandidon për kryetar bashkie në Himarë, Shqipëri, shkruan Ekathimerini. Mitsotakis shprehu shqetësimin e tij për arrestimin e Belerit, duke deklaruar se akuzat ndaj tij ishin të pabazuara.
Duke folur në rrjetet sociale, Mitsotakis theksoi qëndrimin e vendosur të Greqisë dhe BE-së, duke thënë se ‘Shqipëria duhet të kuptojë se Greqia dhe BE-ja nuk do pranojnë asnjë kompromis për sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të minoritetit etnik grek’.
Gjatë vizitës së tij në ishullin lindor të Egjeut, Lesvos, kryeministri grek përsëriti qëndrimin e tij, duke thënë: “Nëse Shqipëria dëshiron të afrohet me Bashkimin Evropian, ajo ka detyrimin të sigurojë zgjedhje të lira dhe të ndershme lokale dhe të lirojë menjëherë ata që kanë janë burgosur, që të marrin pjesë në procesin zgjedhor.”
Beleri u kap nga forcat speciale të policisë shqiptare pak pas mesnate me akuzën e blerjes së votes, mbyll shkrimin Ekathimerini.
Xhaçka i përgjjigjet Dendias-it: Blerja e votave shkelje e rëndë, prisni të flasë drejtësia pa presione të jashtme e mesazhe përçarëse
Ministrja e Jashtme Xhaçka i është përgjigjur kryeministrit grek Mitsotakis e homologut të saj Dendias lidhur me arrestimin e Fredi Belerit, kandidat i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ në Himarë.
Me anë të një statusi në Twitter ajo shkruan se blerja e votës përbën shkelje të rëndë sipas ligjit shqiptar dhe kjo vlen për të gjithë qytetarët e Shqipërisë. Xhaçka thekson më tej se autoritetet greke duhet të presin që drejtësia shqiptare të bëjë punën e saj pa presione të jashtme e mesazhë përçarëse.
“Blerja e votave është një shkelje e rëndë në legjislacionin tonë dhe agjencitë tona të zbatimit të ligjit kanë prioritet luftimin e saj gjatë kohës së zgjedhjeve. Kjo vlen për të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë, përfshirë vëllezërit dhe motrat tona minoritare greke që marrin pjesë në zgjedhjet tona. Kandidatura e shtetasit shqiptar Fredi Beleri, i cili kandidon për zgjedhje nga bashkëqytetarët e tij, nuk kërkon ndonjë trajtim të veçantë. Ai është i barabartë para ligjit si kushdo tjetër. I takon vetëm prokurorëve dhe gjyqtarëve që ta trajtojnë këtë çështje në përputhje me provat. Me respekt i nxisim miqtë tanë në Athinë që të monitorojnë nga afër zhvillimin e çështjes me durim, duke lejuar drejtësinë shqiptare të bëjë punën e saj pa presione të jashtme apo mesazhe përçarëse. Është mirë të mbajmë të informuar Brukselin, por duhet të presim edhe shfaqjen e fakteve.” – shkruan Xhaçka.