Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, e quajti sulm politik, arrestimin e Fredi Belerit, kandidatit të koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ për Himarën.
Ai ishte i pranishëm para Komisariatit të Himarës pas arrestimit të këtij të fundit dhe tre personave të tjerë, anëtarë të stafit të tij elektoral.
Dule theksoi se ngjarja është e orkestruar enkas nga kryeministri Rama për të penguar procesin elektoral në Himarë.
Ai bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm të Belerit.
“Pas një jave deliriumi gjuhë urrejtjeje, përçarjeje dhe stigmatizimi nga ana e kryeministrit Rama kundër kandidati të koalicionit në Himarë zoti Bejleri me urdhër e porosi të tij forca policore rrëmbyen në qendër të qytetit dhe shoqëruan për në komisariatin e Vlorës, zotin Bejleri dhe avokatin e tij. Është një akt i parecedentë dhe i pashpjegueshëm. Është një fenomen që ka lidhje me regjimet totalitar. Thirrja jonë është lirimi i zotit Bejleri dhe garantimi i procesit zgjedhor dhe heqja dorë njëherë e mirë nga intimidimi i qytetarëve dhe përpjekja për të tjetërsuar vullnetin e sovranit. Kemi paralajmëruar me deklaratën tonë të pardjeshme dhe dëshirojmë sot t’u drejtohemi mediave edhe sot që të jenë të pranishme, që të kenë një proces transparent, një proces i cili do të respektojë vullnetin e sovranit, u drejtohemi përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar për monitorim të qendrave të votimit dhe KZAZ Himarë, se vetëm kështu do t’iu priten shanset kryeministrit Rama, i cili ka vënë objektiv strategjik në shërbim të interesave klienteliste në dëm të pronave të Himarës, me qëllim që të garantohet procesi dhe shmangia me çdo kusht manipulimit të tentuar nga Rama. Zoti Bejleri duhet të lirohet menjëherë dhe të vazhdojë aktivitetin e tij si kandidatët e tjerë dhe të kurorëzojë fitoren që është e dukshme dhe e prekshme në çdo familjeje komunitet të bashkisë Himarë.” – tha Dule për mediat.