Detaje të reja kanë dalë në dritë për arrestimin e kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Himarës, Fredi Beleri.
Bashkëpunëtori i drejtësisë që ka firmosur marrëveshje bashkëpunimi me autoritetet, hyri në diskutim me Belerin pesë ditë më parë.
Janë dhënë 400 mijë lekë të vjetra për tetë persona, deklarojnë burime pranë policisë së Vlorës për Anila Hoxhën.
Sipas informacioneve, ai i tha se kishte tetë persona dhe nga përgjimi ambiental bien dakord që do u jepeshin nga 50 secilit. Në një moment në bisedë e sipër i dyshuari i thotë bashkëpunëtorit të drejtësisë se nëse e bën këtë, do t’i jepte 400 mijë lekë për tetë votuesit dhe 300 atij vetë.
Një pjesëtar i grupit të hetimit i pohoi Anila Hoxhës më pas se për ta bindur i është treguar dhe lista e zgjedhësve që bashkëpunëtori i drejtësisë tha se i kishte gati.
Ndihmësi i Belerit dhe ai i dyshuar për nenin 328 është personi që në vëzhgimet ambientale ia çon paratë bashkëpunëtorit të drejtësisë.
Ky i fundit u vonua në takim dhe në një moment ndihmësi e telefonon Belerin duke i treguar se personi nuk gjendej aty. Beleri shprehet “prit një minutë” dhe më pas bashkëpuntori i drejtësisë shfaqet në vendtakim për të marrë paratë nga ndihmësi i Belerit.
Anila Hoxha tha për Top Channel se sipas dosjes së hetimit rezulton që paratë për tetë vota u dhanë në një ËC dhe se ky moment është vetëm me audio dhe jo i filmuar dhe me kamera sikurse takimet e tjera nën vëzhgim nga një grup i Policisë së Shtetit të dërguar nga Tirana.
Çdo veprim me bashkëpunëtorit e drejtësisë dhe për paratë është ndjekur me urdhra të Prokurorisë së Vlorës.
Ndërkohë që me shumë mundësi masa e sigurisë mund të zhvillohet nesër në gjykatën e Vlorës, sipas burimeve shumë të sigurta të gazetares Hoxha. Më tej pritet të shpallet mos kompetenca dhe dosja t’i kalojë SPAK.
Një ditë me parë në një intervistë Exclusive për Anila Hoxhën, prokurori i përgjithshëm Olsian Çela tha se ka vendosur udhëzime duke urdhëruar daljen në terren të prokurorëve që kanë kaluar në gatishmëri për 14 majin dhe do të jenë në detyrë gatishmërie derisa KQZ të shpallë rezultatin final.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e TCH