Kandidati i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ për Bashkinë e Himarës, Fredi Beleri është lënë sot në masën ‘arrest me burg’ nga Gjykata e Vlorës.
Dosja e tij do t’i kalojë SPAK-ut, nën akuzën e blerjes së votave.
Në sallën e gjyqit Fredi Beleri ka deklaruar se nuk ka lidhje me akuzën. Ai ka thënë se ishte me të afërmit e tij dhe se lekët nuk i kishte për të blerë vota.
“Nuk kam lidhje me akuzën, isha me të afërmit e mi, lekët nuk i kisha për të blerë vota”– mësohet se ka thënë Fredi Beleri në sallën e gjyqit.
Në ambientet e gjykatës ishte e pranishme dhe ambasadorja greke në Tiranë, Konstantina Kamitsi.
Beleri ka kërkuar një masë të butë sigurie për shkak të gjendjes shëndetësore, pasi sipas tij vuan nga diabeti.
Beleri akuzohet për shit-blerjet votash, për zgjedhjet lokale që do të mbahen nesër. Beleri është arrestuar pak pas mesnate të premten, para lokalit të tij bashkë me një person tjetër.
Forca të shumta policie morën pjesë në prangosjen e tij, që u bë me urdhër të SPAK. Vetë Beleri dhe të tjerët, kanë mohuar që të jenë përfshirë në shkelje të tilla, si blerja e votave.
Sipas policisë, hetimet nisën 4 ditë më parë pas informacioneve se disa persona iu ofronin qytetarëve të ndryshëm, shuma të caktuara parash kundrejt dhënies së votës për një nga kandidatët konkurrues. Bashkë me Belerin, pas hekurave ka përfunduar dhe Pandeli Kokaveshi, 44 vjeç, për veprën penale “Korrupsion aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim.