Policia e Korçës ka bërë një sqarim zyrtar lidhur me denonimin e kandidatës së koalicionit ’Bashkë Fitojmë’ Ledina Alolli dhe rastin e përplasjes së deputetit të PD-së Edmond Spaho me një votues në Maliq.
Sipas policisë, si Alollit ashtu edhe Spahos, u është kërkuar që të paraqiten në polici për t’u intervistuar lidhur me pretendimet e tyre, ndërsa shtohet se atyre u janë marrë deklaratat nga policia.
Në sqarimin e policisë thuhet gjithashtu se në asnjërin prej rasteve nuk është kërkuar ndërhyrja e policisë në qendrat e votimit apo rreth tyre.
“Sqarim i Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë
Në lidhje me dy raste të publikuara në media, njëri prej tyre deklarata e kandidates së PD-së shtetases L. A., e cila pretendon se në lagjen nr. 17, Korçë, punonjës të administratës publike po intimidojnë votuesit, ndërsa rasti tjetër një video ku shfaqet deputeti i PD-së shtetasi E.S., duke u konfrontuar fizikisht me një shtetas në një qendër votimi në fshatin Zvezdë, Maliq, me pretendimin se ai shtetas po intimidonte votuesit, ju informojmë se: Në të dy rastet është komunikuar me kandidaten L. A. dhe deputetin E. S., ku u është kërkuar që të paraqiten në Komisariatet e Policisë, për t’u pyetur dhe intervistuar në lidhje me sa pretendojnë. Në lidhje me pretendimet e tyre, në të dy rastet u është marrë deklarim nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatet e Policisë Korçë dhe Maliq, ku në bashkëpunim me KZAZ Korçë dhe Maliq, po kryhen të gjitha verifikimet e nevojshme. Theksojmë se në asnjë prej rasteve të mësipërme, nuk është kërkuar ndërhyrja e Policisë në qendrat e votimit apo në ambientet përreth qendrave të votimit. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.” – thuhet në njoftimin e Policisë së Korçës.