Vendosni fjalën kyçe....

Ina Zhupa denoncon me emra: Nënkryetarja e bashkisë Sarandë e tre drejtorë po intimidojnë votuesit


Deputetja e PD-së Ina Zhupa ka denoncuar nënkryetaren e bashkisë Sarandë Lindita Qëndro dhe tre drejtorë në këtë bashki, Mariel Murati, Arjan Kalcuni e Alket Qëndro se po intimidojnë qytetarët që votojnë.

Zhupa u bën thirrje që t’i lënë të votojnë të lirë qytetarët e Sarandës e Ksamilit dhe se mjaft janë pasuruar në kurriz të tyre.

Deputetja demokratë shton më tej se qytetarët do vendosin ta çlirojnë bashkinë nga kthetrat e mafias së pronave që kërkojnë ta zaptojnë dhe se deputeti Blendi Klosi e bandat e tij do largohen nesër.

Deklarata e Zhupës

“Drejtues të institucioneve publike të Sarandës!

Nënkryetare e Bashkisë Sarandë Lindita Qëndro

Drejtor Mariel Murati

Drejtor Arjan Kalcuni

Drejtor Alket Qëndro

Hiqni dorë urgjentisht nga intimidimi i qytetarëve jashtë qendrave të votimi. Lejini të lirë banorët e Sarandës e Ksamilit të votojnë. Bashkëqytetarët tanë janë te zgjuar mjaftueshëm e të vetëdijshëm se cila është alternativa që i përfaqëson ata. Boll jeni pasuruar në kurriz të tyre, ata nuk janë si ju, pronarë hotelesh e ndërtues pallatesh, zaptues tokash e pronash publike. Ju njohin shumë mirë, e dinë se çfarë përfaqësoni e çfarë kërkoni të merrni nga Bashkia. Ata janë qytetarë të lirë dhe si të tillë e duan të çliruar atë institucion nga kthetrat e mafies së pronave që kërkon ta zaptojë. Ju garantojmë se ju njohim emër për emër ju intimidues, ua dimë bëmat dhe mendësitë. Boll më! Blendi Klosi me bandat e tij do të largohet nesër, ndërsa ju do të jetoni sërish me bashkëqytetarët tuaj. Mos u bëni bashkëfajtor në krim, hiqni dorë sa nuk është vonë!”