Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” Arjan Hoxha në një deklaratë për shtyp, kur rezultatet paraprake e nxjerrin në një humbje të thellë përballë kandidatit socialist Rakip Suli, tha se nuk do njohë rezultatin.
Hoxha i cilësoi pajisjet elektronike një dështim total. Ai kërkoi hetim për pajisjet dhe e quajtu rezultatin të manipuluar në Kamzë.
“Pajisjet elektronike ishin një dështim total, pasi pajisja e identifikimit elektronik nuk funksionoi në asnjë qendër votimi. Kërkojmë të sekuestrohen serverat në çdo pajisje në të gjitha qendrat e votimit. Hetim për pajisjet që kanë ardhur me 0 garanci. Ne do të mbrojnë votat. Një provë e kristaltë e manipulimit është edhe vetë rezultati në Kamzë. Suli ka marrë 10 mijë vota në 2019 kur garoi vetëm, sot me kandidatë përballë ka marrë 24 mijë. Rezultati është rezultat makinerie, 20 mijë vota më shumë në 2 vite është i pamundur. Rast unikal në historinë e politikës. Nuk do ta njohim këtë rezultat, kurrë”, tha Hoxha.