Vendosni fjalën kyçe....

Zgjedhjet vendore, problem identifikimi elektronik, incidente sporadike


Teksa kanë kaluar rreth 8 orë nga nisja e votimit në mbarë vendin, procesi është shoqëruar me incidente sporadike.

Në disa qendra votimi ka pasur fillimisht vonesa, të cilat janë shkaktuar nga mosfunksionimi i pajisjeve të identifikimit elektronik.

Pas vendimit të KQZ-së, në këto qendra vijoi procesi me identifkimin manual tëzgjedhësve. Nga rreth 5200 qendra votimit në mbarë vendin, në më shumë se 500 prej tyre ka pasur probleme me pajisjet e identifikimit elektronik.

Deri në orën 13:00, sipas KQZ-së, në mbarë vendin kanë votuar 23.2% e votuesve nga të dhënat e ardhura nga rreth gjysma e qendrave të votimit. Më herët KQZ-ja i kërkoi policisë që të largonte nga qendrat e votimit të gjithë personat e paautorizuar pasi kjo konsideroht intimidim e presion ndaj votuesve.

Përsa u përket incidenteve e denoncimeve ka pasur disa të tilla nga përfaqësues të PS-së e koalicionit Bashkë Fitojmë si dhe një rast nga Lëvizja Bashkë.

Kjo e fundit denoncoi në Facebook se Policia Bashkiakee ajo e Shtetit kishte cenuar selinë e partisë në mënyrë të kundërligjshme.

Koalicioni Bashkë Fitojmë ka denoncuar intimidim të votuesve në Korçë, Vlorë e Sarandë, ndërsa në një rast deputeti i PD-së Spaho u shfaq në një video duke tërhequr nga krahur një votues në Maliq.

Sipas këtij të fundit, ai ishte nxjerrë jashtë nga Spaho teksa priste radhën ndërsa deputeti pohoi se ishte sharë e dhunuar fizikisht nga njerëzit e deputetit socialist Ilir Pendavinji.

Në Sarandë, deputetja e PD-së Ina Zhupa denoncoi katër drejtorë në bashki se po intimidonin votuesit, ndërkohë që bëri thirrje qytetarëve që të votojnë të lirë e të dalin masivisht.

Në Fushë Krujë, një votues dhunoi komisionerin e opozitës, sipas së cilës dhunuesit kishin qenë tre persona.

Ndërkohë opozita ka denoncuar votim familja në disa raste në Kamëz, ndërsa në Vlorë opozita denoncon shfaqjen e fotografimit të votave për kandidatin e PS-së, Ermal Dredha.

Në Durrës, deputeti i PD-së Bylykashi, tha se drejtorë të administratës qëndrojnë pranë qendrave të votimit e intimidojnë votuesit.

Në Durrës ka pasur dy incidente, me njërin prej tyre të denoncuar nga kandidati i PS-së për Këshillin Bashkiak Hekuran Markola, i cili ka deklaruar se është dhunuar nga tre persona.

Një incident është denoncuar nga një komisioner i koalicionit Bashkë Fitojmë në Elbasan, ku votimi është elektronik.

Sipas Eduard Dokos, ai ka votuar për  Luçiano Boçin ndërkohë që fleta e printuar ka dalë me emrin e kryebashkiakut socialist Gledian Llatja. Kreu i KQZ-së i është përgjigjur këtij denoncimi duke thënë se nuk ka asnjë mundësi që diçka e tillë të ndodhë, pasi pajisjet janë kolauduar saktësisht.

Kreu i PD-së Berisha në një dalje për mediat tha se policia e ka marrë pushim sot ndërsa premtoi se çdo votë po mbikëqyret e do mbrohet.

Ai u bëri thirrje qytetarëve të dalin e të votojnë masivisht, thirrje që u bë edhe nga kryebashkiaku i Tiranës, Veliaj.

Qendrat e votimit do jenë zyrtarisht të hapura deri në orën 19:00 të mbrëmjes.