Vendosni fjalën kyçe....

Kisha Katolike në Francë do luftojë abuzimin seksual me kode QR


Kisha Katolike Franceze do bëjë që të gjithë peshkopët, priftërinjtë dhe dhjakët e saj të mbajnë karta identiteti me kode QR në mënyrë që të mbrojnë adhuruesit nga abuzimi seksual nga duart e klerikëve.

Sistemi i ri i krijuar u zbulua nga Konferenca e Peshkopëve të Francës (CEF) të mërkurën  e shkuar.

Pas skanimit të kodit QR, personi do shohë informacione të koduara me ngjyra për klerikun. E gjelbërta do të thotë që kleriku mund të udhëheqë meshën, të dëgjojë rrëfime dhe të kryejë sakramente të tjera pa kufizime. Portokallia do tregojë se kompetencat e priftit janë të kufizuara për shkak të sanksioneve ose mungesës së përvojës së duhur.

Personat e zhveshur nga statusi i tyre klerik për çfarëdo arsyeje do kodohen me të kuqe.

Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i CEF-it, Ambroise Laurent, shpjegoi se kartat e identitetit do ndihmojnë gjithashtu për të mbajtur gjurmët e veprimtarisë së priftërinjve kur ata kryejnë shërbime jashtë dioqezave të tyre, kur shoqërojnë adhuruesit në pelegrinazhe dhe veprojnë si këshilltarë për grupe të rinjsh.

Kisha Katolike në Francë dhe vende të tjera është tronditur nga rastet e abuzimit seksual të të miturve në dekadat e fundit. Në vitin 2021, komisioni i pavarur hetimor i emëruar nga CEF vlerësoi se kishte midis 2,900 dhe 3,200 shkelës në radhët e kishës në Francë që nga viti 1950.